Lidhje

Presidenti Obama flet për ekonominë, Lojrat Olimpike


Departamenti amerikan i punës thotë se përqindja e papunësisë arriti në shtator në 9.8 për qind, niveli më i lartë që prej 26 vjetësh, ndërsa punëdhënësit shkurtojnë më shumë vende nga ç'pritej. Zyrtarët thanë dje se ekonomia humbi muajin e kaluar 263 mijë vende pune dhe se 15.1 milionë vetë janë tani pa punë. Mbi 7 milionë vende pune janë shkurtuar që kur filloi recesioni në dhjetor të vitit 2007. Të dhënat e reja po shkaktojnë frikën se papunësia mund të kërcënojë rimëkëmbjen ekonomike. Presidenti Obama thotë se raporti i fundit për papunësinë është një kujtesë se rimëkëmbja ekonomike në Shtetet e Bashkuara nuk do të jetë e lehtë. Ai tha gjithashtu se shifrat e fundit tregojnë se ai ka më shumë punë për të bërë.

"Që nga periudha e dimrit të kaluar kur ne po humbisnim 700 mijë vende pune në muaj, ne sigurisht që kemi bërë përparim në këtë drejtim. Por raporti i sotëm për vendet e punës na kujton se përparimi vjen pak nga pak dhe ne duhet ta arrijmë rimëkëmbjen hap pas hapi".

Dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama e pranoi se punëdhënësit shkurtuan më shumë vende pune nga ç'pritej muajin e kaluar, çka do të thotë se ai ka ende punë për të bërë.

"Dhe dua t'u them të gjithë amerikanëve se nuk do të resht derisa ata që kërkojnë punë të gjejnë punë, derisa bizneset që duan kredi të jenë në gjendje të marrin kredi dhe të arrijnë sukses, derisa të gjithë pronarët e përgjegjshëm të shtëpive të mos i humbin ato".

Presidenti Obama sapo ishte kthyer në Uashington nga Kopenhaga, ku ai dhe zonja e parë Mishelë Obama bënë fushatë që Lojrat Olimpike të mbaheshinë në Çikago në vitin 2016 por pa sukses.

Zoti Obama tha se mori në telefon Presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva për ta uruar pasi Rio de Zhaneiro u zgjodh si qyteti ku do të mbahen lojrat.

Presidenti tha se do të kishte dashur të sillte lajme më të mira nga votimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe nuk ka dyshim që Çikagoja ishte përgatitur më së miri për të paraqitur konkurrencën e vet. Zoti Obama gjithashtu e mbrojti vendimin për të shkuar në kryeqytetin danez për të paraqitur kandidaturën e Çikagos.

"Besoj se gjithmonë ia vlen që të promovosh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ftosh botën ta shohë atë".

Disa kritikë thonë se zoti Obama nuk duhej të kishte shkuar në Kopenhagë dhe duhej të ishte përqendruar në zgjidhjen e problemeve të brendshme.

Megjithëse Çikagoja nuk u zgjodh për mbajtjen e Lojrave Olimpike, Presidenti Obama gjithsesi po fton vizitorët që të vijnë dhe të shohin Shtetet e Bashkuara.//kk//

XS
SM
MD
LG