Lidhje

Infrastruktura e vjetëruar e Rusisë


Aksidenti i fundit katastrofik në hidrocentralin më të madh të Rusisë u shërbeu si kujtesë udhëheqësve në Moskë për të inspektuar dhe riparuar infrastrukturën kryesisht të periudhës sovjetike të vendit. Shumë përpara aksidentit vdekjeprurës të gushtit në Siberi, ministria ruse e situatave emergjente kishte paralajmëruar se diga në central ishte neglizhuar deri në një pikë të rrezikshme, megjithatë shumë pak u bë gjatë 10 vjetëve që pasuan për të parandaluar dështimin e saj tragjik e të kushtueshëm.

Aksidenti në hidrocentralin e Sayano-Shushenskaya vë në dukje gjendjen në rënie të infrastrukturës së Rusisë dhe përpjekjet nguruese të qeverisë për të zgjidhur problemin.

Media ruse arriti në përfundimin se autoritetet kishin paralajmëruar mbi kushtet e pasigurta një dekadë para se të ndodhte çarja në digë që u pasua me përmbytje dhe vdekjen e 75 vetave. Një paralajmërim tjetër më i përgjithshëm rreth infrastrukturës së vendit u bë në vitin 2005, kur ministria e situatave emergjente tha se mbi 60 për qind e të gjitha tubacioneve të ujit, kanaleve të zeza, ngrohjes dhe elektricitetit në mbarë Rusinë kishin nevoja urgjente për riparime. Kjo ministri parashikoi se qendrat e vjetëruara të periudhës sovjetike do të bëheshin një faktor kryesor në aksidentet teknologjike dhe industriale.

“Mosha mesatare e pajisjeve të rëndësishme në Rusi është mbi 20 vjet, pra kryesisht pajisjet e industrisë ruse janë të periudhës sovjetike, ndërsa në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore kjo mesatare është 10 deri 15 vjet”.

Yaroslav Lissovolik është krye-ekonomist në Bankën Deiçe në Moskë.

“Mendoj se Rusia nuk ka pasur kohë të mjaftueshme. Rusia filloi seriozisht përpjekjet e modernizimit në vitin 2006 dhe dy vjet nuk janë një kohë e mjaftueshme. Përkundrazi duhen dekada për të përfunduar këtë objektiv gjigand”.

Kritikët thonë se për vite me rradhë ekspertë të pavarur dhe disa ministri i kishin bërë thirrje Kremlinit që të investonte miliardat e fituara nga nafta dhe gazi për të riparuar jo vetëm cetralet bërthamore por edhe rrugët, urat, ndërtesat, si dhe makineritë bujqësore dhe industriale.Pak pas aksidentit të gushtit në Sayano-Shushenskaya, kryeministri Vladimir Putin u tha ministrave se Rusia duhet të bëjë një kontroll të hollësishëm të të gjitha pjesëve strategjike e jetësore të infrastrukturës dhe të hartojë një plan për modernizimin e rregullt të pajisjeve.Masha Lipman, analiste në Moskë për Fondacionin Carnegie për paqen në botë, thotë se ky objektiv kërkon më shumë se sa vullnet politik. Me rëndësi është gjithashtu aftësia e Kremlinit për të menaxhuar zyrtarët lokalë në gjithë vendin.

“Problemi është se Kremlini, qeveria qëndrore nuk mund të bëjë çdo gjë dhe kjo është arsyeja që ne kemi një menaxhim të dobët: Kremlini duhet t’i shpërndajë përgjegjësitë. Ne kemi udhëheqës dhe menaxherë lokalë, guvernatorë e menaxherë të nivelit të ulët dhe jo të gjithë bëjnë atë që duhet bërë. Kryeministri Putin mund të flasë me tone të ashpra e me zemërim, madje të japë edhe urdhëra, por fakti është se ajo që duhet bërë nuk bëhet”.

Një problem tjetër me menaxhimin e vendit, thotë analistja Lipman, ka të bëjë me mungesën e grupeve të opozitës dhe median e lirë në Rusi, njerëz që mund të vënë në pikëpyetje autoritetet ruse.Dhjetorin e kaluar, kryeministri Putin paralajmëroi se riparime nevojiten në 80 për qind të rrjetit ngrohës të vendit, rrjet ky shumë i rëndësishëm për një vend me dimër të madh.Para se të fillonte kriza financiare, qeveria ruse po planifikonte shpenzime të mëdha në infrastrukturën e sistemit shtetëror. Tani analistët thonë se fokusi kryesor do të përqëndrohet në nevojat shoqërore të paktën deri vitin e ardhshëm në se ekonomia ruse fillon rimëkëmbjen. //bsa//

XS
SM
MD
LG