Lidhje

Obama takohet me udheheqësit e Kongresit për Afganistanin



Demokrati më i lartë në Senatin amerikan Harri Rid tha se ligjvënës të të dyja partive e siguruan Presidentin Obama se ata do të mbështesin çdo vendim që ai do të marrë për Afganistanin.

“Është shumë e qartë se Presidenti po ecën në drejtimin e duhur. Në fillim strategjia pastaj burimet që do të përdoren, kjo ishte tema e diskutimit që u përmend shpesh gjatë takimit. Ishte një takim i mirë ku të gjithë morën pjesë. Presidenti i ftoi të gjithë t’i telefonin atij direkt nëse kishin ndonjë gjë që nuk e kishin ngritur në takim.”

Komentet u bënë pas takimit që udhëheqës të të dyja partive patën dje me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi rishikimin e strategjisë mbi Afganistanin.

Por udhëheqësi i pakicës republikane të Senatit, Mitch McConnell u shpreh ndryshe.“Mendoj se republikanët do të jenë në gjendje t’i marrin vendimet vetë, por mund të them pa frikë se ne kemi besim te Gjenereali Petreas dhe gjenerali McChrystal,”tha ai.

Një numër i rëndësishëm republikanësh do ta mbështesin hapin që do të ndërmarrë Presidenti nëse komandantët amerikanë në terren e mbështesin këtë hap, tha zoti McConnell.

Komentet e tij u mbështetën nga Senatori tjetër republikan Xhon MeKejn: “Jam shumë i bindur se analiza e gjeneralit McChrystal jo vetëm që është e drejtë por duhet venë në zbatim sa më shpejt. Do të jetë presidenti ai që do të marrë vendimin përfundimtar por mendoj se rekomandimeve të gjeneralëve McChrystal dhe Petreas duhet t’u jepet rëndësi e madhe duke patur parasysh suksesin e tyre në të kaluarën.”

Shtëpia e Bardhë tha para takimit se zoti Obama e shihte si diçka jashtëzakonisht të rëndësishme konsultimin me Kongresin për luftën në Afganistan por nuk do ta bazonte vendimin e tij te klima politike që ekziston në Kongres apo te fakti që mbështetja e publikut për luftën po bie me shpejtësi.“Presidenti do të marrë një vendim, popullor ose jo popullor, bazuar mbi atë që ai mendon se është në interes të vendit,” tha zëdhënësi Robert Gibbs.”

Presidenti Obama u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë.

Takimi ishte pjesë e një rishikimi intensiv që ai po i bën strategjisë për Afganistanin dhe Pakistanin, i cili pritet të zgjasë disa javë por që ka ngjallur vemendje mjaft të madhe.

Një nga pikëpyetjet kryesore është nëse Presidenti Obama do t’i zgjerojë operacionet ushtarake pas shtimit të 21 mijë trupave në fillim të këtij viti.

Tre zyrtarët kryesorë ushtarakë që mbikqyrin këto operacione janë për vazhdimin e luftës kundër Talebanit të rigjallëruar dhe kanë arritur në përfundimin se për këtë qëllim do të duheshin dhjetra mijra trupa shtesë përveç 68 mijë ushtarëve që tashmë ndodhen në terren.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se asnjë vendim nuk do të merret pa u shqyrtuar nga presidenti të gjithë elementët e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, është e qartë se tërheqje të trupave amerikane nuk do të ketë, ndërkohë që pikërisht sot lufta në Afganistan hyri në përvjetorin e saj të tetë. //rd//

XS
SM
MD
LG