Lidhje

Çmimi Nobel për Presidentin Obama pritet me vlerësime dhe kritika në botë


Presidenti amerikan Barak Obama tha se ishte befasuar, por edhe shumë mirënjohës që iu dha çmimi Nobel i paqes, madje do ta pranojë atë si një thirrje për veprim, thirrje për të gjitha vendet që të përballojnë sfidat e përbashkëta të shekullit të 21-të. Zoti Obama foli disa orë pas njoftimit të papritur në Oslo. Njoftimi u prit me një ndjenjë habie nga audienca. Mirë e pritën vendimin edhe shumë laureatë të mëparshëm të këtij çmimi si dhe udhëheqës botëror. Por të tjerë thanë se zoti Obama nuk ka dhënë ende ndonjë kontribut të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ia dha çmimin zotit Obama me motivacionin për punën e tij në konsolidimin e diplomacisë ndërkombëtare, duke përmendur përpjekjet e tij të veçanta drejt një bote pa armë bërthamore.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se e telefonoi Presidentin Obama dje në mëngjes me lajmin e papritur.

"Mendoj se më e pakta që mund të thuhet është se ai ishte shumë i befasuar".

Më pak se një vit pasi mori detyrën, zoti Obama bëhet pjesë e një grupi elitë njerëzish të paqes ku përfshihen Nelson Mandela, Dalai Lama dhe Martin Luther King, Jr.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, toni i zotit Obama tregonte modesti.

"Të them të drejtën nuk më duket se e meritoj të jem në grupin e figurave të tilla transformuese që janë nderuar deri tani me këtë çmim, burra dhe gra që më kanë frymëzuar, që kanë frymëzuar të gjithë botën me përpjekjet e tyre të guximshme për të vendosur paqen".

Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme dhe të larmishme. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon e përshkroi çmimin e paqes "një lajm të mrekullueshëm".

"Presidenti Obama mishëron frymën e re të dialogut dhe angazhimit për problemet më të mëdha të botës: ndryshimet e klimës, çarmatimi bërthamor dhe një rreze e gjerë sfidash të paqes dhe sigurisë".

Disa laureatë të çmimit Nobel ishin të të njëjtit mendim, si Desmond Tutu i Afrikës së Jugut.

"Është një çmim që i paraprin një kontributi edhe më të madh duke e bërë botën tonë një vend më të sigurt për të gjithë".

Ish-Presidenti amerikan Xhimi Karter e përshkroi përzgjedhjen e Presidentit Obama si një "deklaratë të guximshme të mbështetjes ndërkombëtare për vizionin e tij dhe angazhimin për paqen dhe harmoninë në marrëdhëniet ndërkombëtare".

Në gjithë Shtetet e Bashkuara, amerikanët shprehën befasinë e tyre.

Në Kolegjin Amerikan të Kairos eksperti i shkencave politike Saiid Sadek tha se i dukej zgjedhja e zotit Obama e çuditshme dhe e pamerituar.

"Paqja nuk është arritur as në Irak, as në Afganistan. Konflikti izraelito-palestinez nuk ka ende zgjidhje. Si zakonisht asgjë nuk ka ndodhur. Dhe burgu i Guantanamos është ende i hapur. Për çfarë atëherë po e merr ai çmimin?"

Rivalët politikë të brendshëm të Presidentit Obama u bënë jehonë këtyre kritikave. Kreu i Komitetit Kombëtar Republikan Majkëll Still tha se "është për të ardhur keq që fama e presidentit Obama la në hije avokatë të palodhur që kanë realizuar arritje të vërteta duke punuar drejt paqes dhe të drejtave të njeriut".

Nga ana e tij, presidenti Obama u përpoq që ta ndante këtë nderim me gjithë vendin.

"Më lejoni të jem i qartë: Unë nuk e konsideroj si një vlerësim për arritjet e mia, por si një konfirmim të udhëheqjes amerikane në emër të aspiratave të njerëzve të të gjitha vendeve".

Presidenti i komitetit të çmimit Nobel, Thorbjoern Jagland mohoi që ky nderim të ishte i parakohshëm. Ai tha se komiteti në shumë raste është përpjekur ta vënë theksin tek ajo që shumë personalitete po përpiqen të bëjnë.

Nëse çmimi i paqes është dhënë për të përshëndetur përpjekjet aktuale, disa po sugjerojnë se kjo do të rrisë presionin ndaj Presidentit Obama për të arritur rezultate konkrete në arenën botërore. Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner thotë se zotit Obama do t'i duhet të japë prova edhe më shumë që sot e tutje.

Dy presidentë të tjerë amerikanë në detyrë kanë marrë çmimin Nobel: Udrou Uilson dhe Thiodor Ruzvelt. //kk//


XS
SM
MD
LG