Lidhje

Lufta kundër kancerit; Astma dhe vitamina D; Lodhja kronike



Përparim në luftën kundër kancerit

Lufta kundër kancerit nuk ka përfunduar, por po bëhet përparim, thonë shkencëtarët. Përsosja e pajisjeve kërkimore në laboratorë e të analizave dhe përmirësimi i trajtimeve kanë ndihmuar shmangien e 650 mijë vdekjeve nga viti 1990 – 2005. Këto të dhëna përmban një raport i kohëve të fundit i shoqatës amerikane mbi kancerin. Por në raport gjithashtu thuhet se fatkeqësisht, këtë vit kanceri do të marrë jetën e 500 mijë amerikanëve.

Sipas raportit, ritmi i vdekjeve si pasojë e kancerit ka rënë 19 përqind mes meshkujve dhe 11 përqind mes grave. Ky është një lajm i mire. Arsyet e këtij pakësimi në numrin e vdekjeve, janë se gjithnjë e më shumë amerikanë tani kryejnë rregullisht analiza si mamografi, kolonoskopi, që do të thotë se kanceret zbulohen në fazat fillestare kur janë më të kurueshëm.

Mjekët gjithashtu sot kanë mjete më të mira për të luftuar kancerin, përfshi aparate për goditjen me saktësi të tumoreve nëpërmjet rrezeve radio aktive duke shmangur dëmtimin e qelizave të shëndetëshme.

Edhe pakësimi i pirjes së duhanit ka ndikuar në rënien e numrit të vdekjeve nga kanceri. Në raport thuhet se nga viti 1990 deri më 2005, u parandaluan 650 mijë vdekje nga kanceri. Por megjithë këto arritje, gjysmë milionë amerikanë pritet të vdesin këtë vit nga kanceri.

Kanceri në mushkëri vazhdon të jetë vrasësi kryesor mes burrave dhe grave, ndërsa tymi i duhanit është shkaktar vdekjesh në 85 përqind të rasteve. Kanceret e zorës së trashë, prostatit dhe gjirit pasojnë kancerin e mushkërivë si më vdekjeprurës.

Ekspertët thonë se rreziku i vdekjes nga këta kancerë mund të pakësohet nëpërmjet ushtrimeve fizike, dietës së shëndetëshme dhe nëpërmjet kryerjes rregullisht të analizava që zbulojnë kancerin në faze fillestare.

Astma dhe vitamina D

Astma është sëmundja më e rëndë kryesore që prek fëmijët në Shtetet e Bashkuara. 7 milionë prej tyre vuajnë nga astma.

Sipas një studimi botuar në revistën mjekësore mbi sëmundjet e frymëmarrjes, midis astmës dhe vitaminës D ekziston një lidhje dhe se mungesa e vitaminës D në organizëm duket se luan rol në shkaktimin e sulmeve nga astma.

Gjatë studimit, shkencëtarët vunë re se nivelet e ulta të vitaminës D ndikuan në shtimin e rasteve të shtrimit në spital të pacientëve me astma dhe hiperaktivitet të mushkërive.

Nivelet e ulta të vitaminës D vihen re shpesh tek fëmijët dhe tek 25 përqind e të rinjve e të rejave. Vitamina D luan rol kryesor në rritjen dhe zhvillimin e kockave, duke e bërë të nevojëshme marrjen e kësaj vitamine edhe në rastet kur fëmijët nuk vuajnë nga astma.

Shkencëtarët thonë se rezultatet e studimit janë tepër paraprake për të rekomanduar vitaminën D shtesë edhe për fëmijët me astmë. Por deri në kryerjen e studimeve të mëtejshme, shkencëtarët thonë se prindërit e fëmijëve me astmë duhet të sigurohen që këta fëmijë të marrin çdo ditë vitaminë D nëpërmjet ushqimeve si qumësht dhe peshk. Sigurisht edhe dielli është një tjetër burim kryesor për vitaminë D.


Sindroma e lodhjes kronike

Ende pak dihet mbi sindromën e lodhjes kronike, gjendje që karakterizohet nga dhimbje të muskujve, kuçeve dhe lodhje mendore e fizike. Por një studim i ri e lidh këtë çrregullim me një retrovirus.

Sindroma e lodhjes kronike është pak-a-shumë e panjohur, por jo dhe aq e rrallë. 1 në 250 të rritur në SHBA preken prej saj . Është vlerësuar se vetëm 5% e pacientëve arrijnë të shërohen plotësisht prej këtij çrregullimi.

Ndërsa studiuesit ende nuk e dinë se çfarë e shkakton sindromën e lodhjes kronike, një studim i ri ka gjetur një lidhje të fortë mes saj dhe virusit të quajtur XMRV.

Pas analizave të mostrave të gjakut nga 100 pacientë me syndrom[ të lodhjes kronike dhe nga 200 persona pa këtë sindromë, studiuesit gjetën se 66 përqind e pacientët me lodhje kronike ishin bartës të virusit XMRV, kundrejt 4 përqind me këtë virus mes personave pa këtë syndromë.

Shkencëtarët arritën të përcaktojnë se tek pacientët ky virus provokonte një përgjigje imune , apo kundërpërgjigje a reagim të organizmit, që pasqyrohej me lodhjen.

Tani shkencëtarët e dinë se virusi është i pranishëm në shumicën e pacientëve me sindromën e lodhjes kronike, por ata thonë se më shumë kërkime nevojiten për të përcaktuar nëse virusi është shkaktari i mundshëm i vetë sindromës.

http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG