Lidhje

Raporti i BE-së: Shqipëria bën përparim, problem zbatimi i reformave


Komisioni europian paraqiti sot raportin e progresit të bërë nga Shqipëria gjatë 12 muajve të fundit. Ai është një dokument i cili merr në analizë të gjitha fuhat dhe veprimtarinë e institucioneve kryesore shqiptare. Shqipëria vlerësohet për përparimet në shumë fusha por problem mbetet zbatimi i reformave të ndërmarra. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe administrata publike u evidentuan edhe nga komisioneri Olli Rehn si problemet serioze me të cilat vendi duhet të përballet.

Raport progresi i hartuar nga komisioni europian është një dokument që i jep hapësira interpretimi optimistëve, skeptikëve apo kritikëve ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Ai është një analizë e detajuar e ecurisë së vendit në të gjitha fushat. Në raport nuk mungojnë vlerësimet për zgjedhjet e 28 qershorit të cilat janë të bazuara tërësisht në ato cka kanë identifikuar vëzhguesit ndërkombëtar, arritja e shumicës së standarteve ndërkombëtare si dhe politizimi i aspekteve teknike si numërimi i votave.

Kjo pjesë e raportit u vlerësua me tone entuziaste nga kryeministri Berisha:

"Ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme sic ka qenë prova e zgjedhjeve. Në këtë kontekst raporti ka vlerësimin e tij më objektiv, sigurisht të bazuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet. Zgjedhjet kanë qenë një moment fondamental dhe një qëllim madhor i përpjekjeve të mia dhe të qeverisë. Dhe natyrisht largimi nga situata e mëparshme ëhstë një dëshmi e funksionimit të demokarcisë në këtë vend"

Sipas raportit megjithatë, zgjedhjet u bënë shkak për një përkeqësim të dialogut politik i cili solli vonesa në përparimin e reformave në fusha kyce. Raporti i cili përfshin periudhën deri në tetor nuk ndalet në vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin megjithatë thekson se dialogu politik duhet të rivendoset.

Raporti njeh në të vërtetë përparime të bëra nga Shqipëria në shumë aspekte por ajo që bie në sy është se nuk ka një ecuri të ndjeshme në ato që gjithnjë janë nënvizuar si problematike për Shqipërinë si lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar apo administrata publike të cilat u nënvizuan sot edhe nga komisioneri për zgjerimin Olli Rehn:

"Shqipëria është duke bërë progres të mirë me reformat e saj por duhet të përmirësojë ende punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të përmirësojë kapacitete adminsitrative. Qeveria duhet të përshpejtojë me reformat që ta sjellë vendin afër statusit të kandidatit".

Për luftën ndaj krimit të organizuar flitet për përparim të kufizuar dhe se krimi i organziuar mbetet një cështje shqetësimi serioz për Shqipërinë. I njëjti përcaktim edhe për trafikun e lëndëve narkotike.

Për korrupsionin në raport vlerësohet se Shqipëria ka vazhduar ta trajtojë këtë cështje dhe se ekzistojnë kuadri ligjor dhe agjensitë përkatëse por theksohet se zbatimi mbetet jo i njëtrajtshëm. Angazhimi i autoriteteve nuk është pasuar nga një zbatim i qëndrueshëm i legjislacionit. Shqipërisë i mungojnë të dhëna bnindëse për dënime dhe masa të tjera ndëshkimore në rastet e korrupsionit vecanërisht për korrupsion në nivelet e larta.

Dhe këtu fokusi shkon të drejtësia dhe sistemi gjyqësor sektor vecanërisht të kritikuar në raport, ku përmendet edhe procesi gjyqësor për cështjen e Gërdecit dhe pushimi i gjykimit për ish ministrin e mbrojtjes fatmir Mediu për shkak të imunitetit të tij parlamentar. "Për të garantuar besueshmëri në luftën kundër korrupsionit nevojitet një proces i ndershëm dhe transparent për të dënuar të gjithë personat përgjegjës pavarësisht pozicionit të tyre" thuhet në raport.

Në përgjithësi reforma gjyqësore vlerësohet se është ende në stadin fillestar. "Sistemi gjyqësor vazhdon të funksionojë keq për shkak të mangësive në pavarësi, transparencë dhe efikasitet". Kritika ka edhe ndaj qeverisë.

"Marrëdhëniet mes institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë herë pas here të vështira. Tendenca e ekzekutivit - thuhet në raport- për të ushtruar kontroll ndaj institucioneve të pavarura, në veçanti ndaj atyre të drejtësisë ngre shqetësime", nënvizon raporti.

Por kryeministri Berisha vlerësoi me tone pozitive raportin duke përsëritur se edhe ai vetë të tillë do ta kishte shkruar:

"Të gjitha kritikat objektive që adresohen në raport ndaj qeverisë dhe institucioneve të vendit tonë do të marrin trajtimin më serioz gjatë vitit në vazhdim. Raporti vlerëson arritjet në të gjitha fushat, por evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të trajtohen".

Ky është një vlerësim i parë ndërkohë që pritet reagimi i opozitës, e cila nisur nga marrëdhëniet dhe akuzat ndaj shumicës ka shumë gjasa të shohe vetëm gjysmën bosh të gotës. //kk//

XS
SM
MD
LG