Lidhje

Raport i ri: Burimet globale të naftës drejt pakësimit në 10 vjet


Raporti i ri i publikuar nga një organizatë e rëndësishme për kërkime të energjisë paralajmëron se burimet e naftës në botë mund të fillojnë të pakësohen në 10 vitet e ardhshme. Ky raport i cili u bë i njohur në një takim të Organizatës Ndërkombëtare për Energjinë në Paris, nga Qendra Britanike për Kërkime rreth Energjisë thotë se prodhimi i naftës mund të arrijë në një pikë kulmore në vitin 2020, duke bërë që të ketë mungesa të naftës në botë.

Kërkesa globale për naftë është e paqendrueshme. Kështu paralajmëron një raport i ri i cili u bë i njohur gjatë një takimi të Organizatës Ndërkombëtare për Energjinë në Paris.

Sipas Qendrës Britanike të Kërkimeve për Energjinë, prodhimi botëror i naftës do të arrijë në nivelin maksimal para vitit 2030. Autori i raportit, Steve Sorrell thotë se shumë shpejt burimet globale do të fillojnë të pakësohen.

“Karakteristikat bazë të burimeve të naftës lenë të kuptohet se prodhimi i naftës në një nivel të caktuar do të vazhdojë të bjerë dhe asnjë vlerë e investimeve nuk mund ta ndryshojë këtë prirje. 10, 15, apo 20 vjet nuk është një kohë shumë e largët”.

Takimi i Ministrave të Energjisë nga 29 vendet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Energjisë po shqyrton sfidat kryesore të energjisë me të cilat ballafaqohet sot bota. Drejtori i kësaj organizate Nobuo Tanaka thotë se çmimet e larta të naftës janë një ndër këto sfida.

“Ka marrë fund periudha kur çmimet e naftës ishin të lira, pra kjo kohë nuk vjen më. Ky është mesazhi ynë.

Në botë prodhohen rreth 85 milion fuçi nafte në ditë. Llogaritjet tregojnë se prodhimi i naftës do të rritet në mbi 100 milion fuçi, para se burimet të fillojnë të harxhohen. Por disa grupe kërkimore thonë se prodhimi i naftës do të jetë i qëndrueshëm gjatë shekullit 21. Po ashtu, disa kompani nafte thonë se burimet e reja të zbuluara në Angolë, Brazil dhe në Gjirin e Meksikës mjaftojnë për të përmbushur kërkesën e konsumatorëve.

Zoti Sorrell nuk pajtohet më këtë thënie.

“Edhe në se bëhen përllogaritje optimiste për sasinë e burimeve të naftës dhe mendohet se në këto vende investohet dhe ato ofrojnë qasje, faktet përsëri tregojnë se përsëri do të ketë kufizime gjatë kësaj periudhe”.

Megjithëse recesioni dhe popullariteti i makinave që nuk harxhojnë shumë karburant, e ka ulur kërkesën e naftës në Shtetet e Bashkuara, OPEC-u thotë se kërkesa për naftë po rritet më shpejt se sa pritej, si pasojë e përmirësimit të ekonomisë globale dhe rritjes së konsumimit në vendet në zhvillim. //ad//

XS
SM
MD
LG