Lidhje

Raporti i OKB-së: Numri i të uriturve ende në rritje


Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se numri i njerëzve të uritur në mbarë botën do të vazhdojë të rritet. Studimi i publikuar në Ditën Botërore të Ushqimit hedh dyshim mbi përpjekjet e bëra nga OKB-ja për të përgjysmuar numrin e njerëzve që kanë nevojë për ndihma ushqimore deri në vitin 2015.

Një raport i ri thotë se për here të pare në histori më shumë se një miliardë njerëz janë të kequshqyer në mbarë botën. Gjatë vitit të fundit, ky numër është rritur me 105 milion, që do të thotë se një në çdo gjashtë njerëz në botë vuajnë nga uria çdo ditë.

Avinash Kumar, me organizatën për ndihmat ushqimore Oxfam në Indi thotë se situate është përkeqësuar në 10 apo 15 vitet e fundit.

Studimi thotë se rajoni më i populluar në botë, Azi-Paqësor ka numrin më të madh të njerëzve të uritur – 642 milionë – pasuar nga Afrika nënsahariane me 265 milionë njerëz.

Analistët thonë se vendet nën-sahariane janë ndikuar nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit si dhe recesioni ekonomik. Suresh Babu është me Institutin Ndërkombëtar për Politikat Ushqimore.

"Kur flasim për situate shumë serioze dhe alarmante përsa i takon urisë dhe shohim hartën me vendet në të kuqe, ato janë Republika Demokratike e Kongos, Burundi, Çadi, Eritrea, Sierra Leone dhe Etiopia." - thotë ai

Ann O’Mahony, koordinator rajonal për grupin e ndihmave Concern Worldwide në Nairobi të Kenias thotë se 13 vende afrikane kanë patur vitin e kaluar, nivele më të larta të urisë.

"Afrika nënsahariane është ajo ku ka zona në rrezik të lartë dhe që kanë më shumë nevojë përsa u përket reformave të politikës, përsa i përket koordinimit dhe mbështetjes." - thotë ai

Problemet në rritje të varfërisë errësuan Ditën Botërore të Ushqimit. Organizatorët e kësaj ngjarje kishin shpresuar për lajme të mira në raport në ditën e caktuar për të rritur ndërgjegjen ndaj situates së urisë në botë.

Raporti tregon se numri në rritje i njerëzve të kequshqyer vjen megjithë objektivin e OKB-së për të përgjysmuar numrin e të uriturve deri në vitin 2015. Studiuesit e OKB-së thonë se për të përmirësuar situatën duhen më shumë investime në bujqësi. Ata thonë se prodhimi botëror i ushqimit duhet të rritet me 70 përqind për të ushqyer gati 9 miliardë njerëz, aq sa do të popullojnë botën në vitin 2050.//mm//

XS
SM
MD
LG