Lidhje

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho korr sukses në Filadelfia


Ermonela Jaho, sopranoja nga Shqipëria që vazhdon të ngjitet në skenat më të rëndësishme operistike të botës këndoi ditët e fundit në Filadelfia. Përpara qindra spektatorëve, ajo interpretoi rolin kryesor në operën e vështirë Madam Baterflaj. Të pesë shfaqjet e saj në Akademinë e Muzikës, siç quhet opera e Filadelfias u pritën me brohoritje të stuhishme dhe vlerësimet për shqiptaren me zërin e jashtëzakonshën ishin ndër më të lartat. Ermonela banon në Nju Jork por këndon si në Amerikë edhe në Europë.

Nuk është hera e parë që sopranoja këndon në Filadelfia.

“Është hera e tretë që vij. Kam debutuar me Miminë, në një operë tjetër të Puçinit, Bohemë, në 2006-n dhe përshtypja e parë ka qenë tepër familjare gjë që më habiti pasi vija nga një kontinent tjetër pasi kisha punuar shumë vite në Evropë. Përballja me këtë publik ka qenë e mrekullueshme. Edhe pritja. Më duket sikur kthehem në shtëpi.”

Madama Baterflaj është një operë e vështirë, me ngarkesë të madhe psikologjike dhe fizikisht raskapitëse për rolin kryesor, Cio-Cio San, japonezja e cila dashurohet me një oficer amerikan të marinës dhe përfundon në vetvrasje pasi braktiset prej tij.

“Është një lloj maratone sepse janë tre orë këndim dhe shumë gjendje emocionale të ndryshme që ndryshojnë me një shpejtësi të madhe".

Duhet të kesh një lloj kontrolli, qoftë nga ana vokale por edhe psiqike për të dhënë jetën e një personazhi në 3 orë dhe të jesh e besueshme.” Dhe për tre orë të tëra, Ermonela e mbajti të gozhduar vemendjen e publikut që mbushte sallën e Akademisë së Muzikës.

Drejtori artistik i Operas së Filadelfias, Robert Driver, është njeriu që gjen talentet dhe ishte ai që e përzgjodhi fillimisht Ermonelën për të kënduar këtu 5 vjet më parë.

“Zëri i saj është kaq i jashtëzakonshëm... Për shembull, kjo është hera e parë për të që interpreton në Madamën Baterflaj. Si unë ashtu edhe drejtuesi muzikor maestro Corrado Rovaris nuk e patëm fare problem t’i jepnim asaj një rol kaq të madh dhe një shans kaq të shkëlqyer sepse ajo është një artiste mjaft e hollë dhe ka një finesë të madhe për çdo detaj por ka edhe zërin e fuqishëm kur i duhet të shpërthejë në skenë.”

Por suksesi nuk vjen kurrë lehtë qoftë edhe kur fati është me ty.

“Do një punë kolosale dhe të besosh qind për qind. Kërkon një dedikim total. Dhe nuk ka recetë. Është zemra dhe pasioni që të shtyn për të gjetur rrugën e drejtë për të arritur aty ku duhet,” thote Ermonela.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Robert Driver shpjegon se përse Ermonela ka kaq shumë sukses.

“Arësyeja që ajo pritet me durtrokitje të stuhishme në çdo shfaqje, pra ku audienca automatikisht ngrihet në këmbë dhe brohoret ështe se ajo të prek së tepërmi, është një artiste mjaft e hollë dhe e zotëron rolin thellë brenda qenies së saj. Ajo mund të fillojë të këndojë mjaft lehtë dhe me delikatesë por kur i derdh fuqishëm emocionet, njerëzit në sallë mbeten pa mend.”

Kështu ndodhi të dielën pasdite kur duartrokitjet oshëtinë në sallën e stilit të La Skalës për minuta të tëra. Ishte nderimi që pak artistë kanë fatin ta përjetojnë.

“Kam kënduar në të gjithë teatrot e botës, rolet më të vështira që kam pasë ëndërruar, kështu që në një farë mënyre ëndrrën e kam kapur, thotë Ermonela. Tani dua që çdo herë që këndoj të jap një emocion të ri.”

Opera e Filadelfias është në bisedime për ta marrë Ermonelën në një tjetër rol të rëndësishëm nga një opera e Puçinit që tani për tani regjisorët dëshirojnë ta mbajnë sekret.

XS
SM
MD
LG