Lidhje

Polonia, gati të marrë pjesë në planin e ri antiraketë


Kryeministri polak Donald Tusk tha se vendi i tij është i gatshëm të marrë pjesë në planin e ndryshuar për mbrojtjen nga raketat të shpallur muajin e kaluar në Uashington. Ai i bëri komentet sot në Varshavë pas një takimi me nënpresidentin amerikan Xho Bajden. Udhëheqësi polak tha se plani i ri amerikan i duket interesant dhe i rëndësishëm.

Rikonfigurimi i planit parashikon mes të tjerash vendosjen në Poloni të një sistemi mbrojtës me raketa të tipit “Standard-3” të marinës amerikane.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se raketat interceptuese që synojnë t’i kundërvihen arsenalit të mundshëm bërthamor iranian, do të instalohen gjithashtu në anijet e marinës amerikane në Detin e Veriut dhe në Mesdhe.

Polonia ishte ndalesa e parë e Nënpresidentit Bajden në një turne katërditësh që përfshin Poloninë, Rumaninë dhe Republikën Çeke.

Shumë analistë në Poloni e shikojnë vizitën e zotit Bajden si një mënyrë që Shtetet e Bashkuara të zbutin sadopak zhgënjimin që mendoeht se mund të ketë shkaktuar rishikimi nga administrata Obama i planeve për sistemin mbrojtës nga raketat të hartuar në kohën e Presidentit Bush. Por Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë spekulimet.

Planet e mëparshme parashikonin instalimin e interceptorëve antiraketë në Poloni dhe të një radari në Republikën Çeke me synimin për të rrëzuar raketa që mund të hidheshin nga Irani.

Nënpresidenti amerikan pati edhe një takim të shkurtër me ushtarë polakë që kanë shërbyer në Afganistan.

Nesër ai vizitën Rumaninë ndërsa të premten Republikën Çeke.

XS
SM
MD
LG