Lidhje

Nikolë Kidman në seancën dëgjimore për dhunën ndaj grave


Në një nga sallat e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, u zhvillua dje një seance dëshmish me protagonistë të luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Mes të pranishmëve, ishte dhe aktorja Nicole Kidman, Ambasadore e Vullnetit të Mirë për UNIFEM-in – Fondi i Zhvillimit i OKB-së për Gratë. Bashkërendimi i politikave qeveritare dhe joqeveritare ishte një nga prioritet që u theksuan në takimin e djeshëm .

"Dhuna ndaj grave duhet të konsiderohet nga të gjithë ne si diçka e padrejtë, jocivile dhe imorale. "

Me këto fjalë do të niste seancën dëgjimore në Kongres kryetari i komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Përfaqësuesve, William D. Delahunt.

Të pranishmit, sollën gjatë orëve të dëshmive të tyre, historitë, arritjet, përpjekjet dhe atë çka mbetet ende për t'u bërë përballë këtij fenomeni social, i cili është pjesë e dhimbshme e realitetit në shumë vende.

Mes atyre që folën ishte dhe aktorja Nicole Kidman, ambasadore e Vullnetit të Mirë për UNIFEMIN që nga vitit 2006. Ndër rastet që ajo pëmendi ishin dhunimet në Kosovë gjatë konfliktit të vitit 1999.

"Ndër rastet që dëgjova në Kosovë, ishte një grua, e cila ishte dhunuar si taktikë lufte në mënyrë sistematike gjatë konfliktit. Dhuna i la trauma fizike e psikologjike, e si pasojë ajo mbeti dhe shtatëzënë. Ajo nuk qëndroi e heshtur, por sëbashku me gra të tjera dëshmoi në gjykatën e për Krimet e luftës në Jugosllavi. Dëshmia e saj u klasifikua si dhunim në kohë lufte, çka përbën krim ndaj njerëzimit."

Folës të tjerë sollën dëshmi të ngjashme nga puna dhe veprimtaria e tyre kudo në botë.Ligjvënsja amerikane Xhenis Shakovski tha:

"Dhuna ndaj grave nuk është çështje vetëm e grave. Ajo nuk duhet të shihet si produkt i kulturave të ndryshme, diferencave apo luftrave. Dhuna ndaj grave është tragjedi njerëzore me pasoja të shumta. Do të sjell rastin e Klaudinës nga Guatemala, 19 vjeçares studente e juridikut, që u vra pasi denoncoi një përdhunim, i cili nuk u hetua kurrë. Vetëm gjatë vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara u denoncuan 89 mijë raste të përdhunimeve- tha zonja Shakovski.

Në seancën e djeshme dëshmuan edhe Mallika Dutt, e shoqatës "Breakthrough" dhe Ambasadorja për Çështjet Globale të Grave në Departamentin e Shtetit Melanie Verveer. Presidentja e organizatës "Shared Hope International", Linda Smith paraqiti angazhimin e madh të qeverisë amerikane për të krijuar një strategji për të luftuar dhunën në vendet ku ka një nivel të lartë të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Arsimimi, politika të rrepta shtetërore për abuzuesit e grave, si dhe një punë e bashkërenduar e organzimave qeveritare dhe atyre joqeveritare, ishin disa nga faktorët që u cilësuan si prioritarë për angazhimin kundër dhunës ndaj grave e vajzave . //mm//


XS
SM
MD
LG