Lidhje

Sarkozi akuzohet për nepotizëm, djali heq dorë nga një post


Djali i Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, u zgjodh sot anëtar i bordit të distriktit kryesor të biznesit, pasi tërhoqi kandidaturën për të kryesuar këtë agjenci për shkak të akuzave për nepotizëm.

23 vjeçari Zhan Sarkozi njoftoi dje se nuk do të konkuronte për postin e kryetarit të EPAD-it që menaxhon lagjen "La Defense" të grataçelave në perëndim të Parisit, ku kanë zyrat firmat kryesore të Francës.

Udhëheqësit e opozitës thanë se studenti i vitit të dytë të shkollës juridike nuk ka përvojë për këtë post dhe akuzuan Presidentin Sarkozi për nepotizëm.

Zoti Sarkozi ishte kryetar i EPAD-it deri sa u zgjodh president në vitin 2007.

Më shumë se 50 mijë qytetarë nënshkruan një peticion në Internet në të cilin i kërkonin Zhan Sarkozit të tërhiqte kandidaturën për atë post.

Presidenti Sarkozi u shpreh sot në faqen e tij në Facebook se i biri mori një vendim “të zgjuar dhe kurajoz” dhe se është krenar për të.//lk

XS
SM
MD
LG