Lidhje

Sekretarja Klinton dënon shpërthimin në Pakistan


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dënoi shpërthimin e përgjakshëm në Pakistan, ku ajo ndodhet për një vizitë që synon forcimin e marrëdhënieve. Ajo u tha gazetarëve në Islamabad se Shtetet e Bashkuara qendrojnë përkrah Pakistanit në luftën e tij kundër grupeve ekstremiste.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton vlerësoi qeverinë e Pakistanit për luftën kundër forcave ektremiste dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Pakistanin në një numër të madh çështjesh.

"Ky është një moment kritik dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë të hapin një kapitull tjetër, për një partneritet të ri jo vetëm me qeverinë por edhe me popullin e një Pakistani demokratik. Ne shpresojmë të ndërtojmë marrëdhënie të fuqishme bazuar në respektin reciprok dhe ndarjen e përgjegjësive".

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Islamabad me ministrin e jashtëm të pakistanit Shah Mahmood Qureshi, zonja Klinton tha se administrata Obama synon të bëjë më shumë për të ndihmuar Pakistanin në çështje që përfshijnë zhvillimin ekonomik, energjinë, edukimin dhe ambjentin.

Në vizitën e saj të parë në Pakistan si sekretare e shtetit, zonja Klinton përshëndeti ofensivën e ushtrisë kundër talebanit dhe ofroi mbështetjen amerikane.

"Dua t'u them se kjo luftë nuk është vetëm e Pakistanit. Këta ekstremistë janë të vendosur të shkatërrojnë atë që është e shtrenjtë për ne, për ju dhe të gjithë njerëzit. Pra kjo është edhe lufta jonë dhe ne vlerësojmë ushtrinë e Pakistanit për luftën kurajoze. Ne angazhohemi të qëndrojmë përkrah popullit të Pakistanit në luftën për paqe dhe siguri. Ne do t'ju japim ndihmën që doni për të arritur objektivin tuaj".

Ministri i jashtëm i Pakistanit Shah Mahmood Qureshi iu drejtua organizatorëve të sulmeve.

"Ne nuk do të sprapsemi. Do t'ju luftojmë pasi duam stabilitet dhe paqe në Pakistan".

Sekretarja Klinton shoqërohet në këtë vizitë nga koordinatori i administratës Obama për politikën në Pakistan dhe Afganistan, Richard Holbrooke. Vizita treditore bëhet ndërkohë që janë rritur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit.

Një numër çështjesh vazhdojnë të dominojnë marrëdhëniet, duke përfshirë sulmet amerikane me raketa kundër objektivave të militantëve në territorin pakistanez dhe projekt-ligjin e debatueshëm që lidh ndihmën amerikane për Pakistanin me luftën kundër ekstremistëve. //kk//



XS
SM
MD
LG