Lidhje

Kongresi debaton rolin e qeverise federale ne kontrollin e sektorit financiar


Një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit ka dhënë urdhër për ulje pagash për 25 drejtuesit më të lartë në 7 kompani që kanë marrë ndihma qeveritare për të kapërcyer krizën. Por ai thotë se qeveria nuk duhet të marrë mbi vete kompetenca për të kontrolluar pagat e pjesës tjetër të sektorit financiar amerikan.

Ai ka marrë nofkën ‘cari i pagave’. Kështu po i referohen disa anëtarë të Kongresit juristit Kenneth Feinberg, që kur ai paraqiti propozimin e tij për pagat e drejtuesve në sektorin e financave:

“Ta themi hapur. Ju jeni cari i pagave. Ju merrni vendime dhe s’ka rrugë tjetër”, tha republikani Dan Burton.

“Posti im u krijua në Departamentin e Thesarit nga Kongresi për të përcaktuar nivelin e shpërblimeve me një objektiv të vetëm në mendje: që taksapaguesit të kompensoheshin për paratë që paguan”, u përgjigj Kenneth Feiberg.

Zoti Feinberg foli dje para ligjvënësve për herë të parë që kur deklaroi se pagat e drejtuesve në 7 kompani që morën fonde federale për të shpëtuar nga falimentimi, do të përgjysmoheshin. “Kemi ulur ndjeshëm masën e keshit që ishte në dispozicion të drejtuesve të lartë. E kemi ulur këtë masë afro 90 për qind.”

Në vend të keshit, një pjesë e madhe e rrogës së drejtuesve do të varet nga aksionet e kompanisë, të cilat nuk mund të likujdohen menjëherë. Ai rekomandoi masa të ngjashme për të gjithë tregun, por shtoi se nuk donte që ai vetë të merrte masa të mëtejshme. “Shpresoj që raporti dhe rekomandimet që u kam parashtruar këtyre 7 kompanive do t’i nxisin kompanitë e sektorit privat që në formë vullnetare të caktojnë praktika të ngjashme për shpërblimin e drejtuesve.”

Disa ligjvënës republikanë kanë shprehur shqetësimin se duke u imponuar drejtuesve të kompanive të pranojnë ulje të mëdha pagash, shumë kompani të rëndësishme do të humbasin njerëzit më të aftë. “Nëse njerëzit e aftë braktisin kompaninë, taksapaguesit, të cilët janë aksionerë në këto firma që morën fonde federale ndihmash, do të mbeten me drejtues inferiorë në këto firma”, tha zoti Burton.

Ligjvënësi Ed Towns thotë se s’ka problem edhe nëse ikin: “Nuk besoj se ndokush tjetër do të dojë t’i punësojë këta drejtues që dështuan. Nuk ka përse shqetësohemi.”

Seanca me pyetje-përgjigje zhvillohet ndërkohë që Kongresi po debaton se çfarë roli duhet të luajë qeveria në kontrollin e kompanive të mëdha, mbarëvajtja e të cilave lidhet drejtpërdrejt me mirëqënien e ekonomisë.//rd//

XS
SM
MD
LG