Lidhje

Afganistan: KPZ shpall Hamid Karzain fitues të zgjedhjeve presidenciale


Komisioni i Pavarur i Zgjedhjeve në Afganistan shpalli Presidentin Hamid Karzai fitues të zgjedhjeve polemike të vendit, pas anulimit të raundit të dytë. Zyrtarët e komisionit thanë se e morën vendimin pasi ish-rivali e Presidentit Hamid Karzai, Abdullah Abdulla u tërhoq nga gara për shkak të shqetësimeve për manipulime. Ndërkohë, në Kabul shkoi sot sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun për takime si me zotin Karzai ashtu edhe me zotin Abdullah.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Afganistanit, Azizullah Ludin tha sot në Kabul se Presidenti Karzai do të qendrojë në postin e tij pasi ishte fitues i raundit të parë të votimit në muajin gusht dhe kadidati i vetëm në raundin e dytë që ishte planifikuar për më 7 nëntor.

Lajmi u dha vetëm pak orë pas arritjes në Kabul të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon – një vizitë surprizë kjo ndërkohë që rritet trysnia ndërkombëtare për një zgjidhje të shpejtë të kaosit elektoral në vend.

Anulimi i balotazhit është një lehtësim i madh për organizatorët, të cilët po bënin përpjekje që zgjedhjet të përfundonin përpara ardhjes së dimrit të ashpër afgan, i cili do të shkaktonte bllokimin e rrugëve në veri, duke bërë që njerëzit të mos shkonin dot për të votuar.

Një shqetësim akoma më i madh ishte siguria – një zëdhënës i Talebanit kishte kërcënuar për dhunë ndaj të gjithë atyre që do të merrnin pjesë në zgjedhje.

Vizita e zotit Ban Ki Moon sot në Afganistan vjen pas shpërthimit të javës së kaluar në Kabul që shkaktoi vdekjen e pesë anëtarëve të personelit të OKB-së. Kreu i Kombeve të Bashkuara u zotua se organizata botërore do të vazhdojë të japë ndihmë humanitare dhe mbështetje për zhvillimin në Afganistan.

"Kombet eBashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar do të jenë të gatshëm për të punuar me presidentin e ardhshëm, me qeverinë e ardhëshme dhe me popullin e Afganistanit."-tha zoti Ban.

Ndërkohë, zoti Karzai e siguroi atë se forcat afgane do të punojnë për të mbrojtur stafin e OKB-së.//lk

XS
SM
MD
LG