Lidhje

El-Baradei jep raportin e fundit mbi veprimtaritë bërthamore globale


Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Muhamed El-Baradei dha raportin e tij të fundit mbi veprimtaritë bërthamore globale para se të dalë në pension në fund të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bernard Shusman njofton nga Nju Jorku.

Gjatë komenteve të tij para Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dje, zoti El-Baradei foli për pikat e nxehta bërthamore të botës. Në fillim, pyetjet që iu drejtuan kishin të bënin me Iranin dhe dyshimet perëndimore mbi aftësitë e tyre për të prodhuar armë bërthamore.

“Nuk kemi asnjë tregues, apo provë, që Irani ka një program armësh bërthamore. Programi i Iranit është përpjekje për të vënë në pah rolin si fuqi rajonale. Por sipas mendimit tim, programi bërthamor i Iranit është thjesht një mjet për të arritur një qëllim. Irani do që të njihet si fuqi rajonale. Ata mendojnë se njohuritë bërthamore sjellin prestigj dhe fuqi, dhe ata do të donin që Shtetet e Bashkuara t’i angazhonin.”

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike i pranoi shqetësimet izraelite për një Iran me armë bërthamore apo për çfarëdo vendi tjetër armiqësor. Por ai tha se ka gjithmonë dy anë të një historie.

“Nëse e shohim nga pikëpamja arabe, arabët janë po aq të shqetësuar, madje ndoshta edhe më shumë, për programet bërthamore që mendohet se ka Izraeli. Ne nuk mund të presim që pjesa tjetër e botës arabe të jetë e qetë duke lexuar çdo ditë që Izraeli ka 200 armë bërthamore.”

Mbi çështjen e Koresë së Veriut, ElBaradei tha se ka dy çështje kryesore:

“Një nga çështjet është mania e tyre për sigurinë dhe mundësinë e ndryshimit të regjimit nga Shtetet e Bashkuara, dhe kjo kërkon shumë garanci që ne nuk po përpiqemi të ndryshojmë regjimin, pa marrë parasysh natyrën e tij, sepse kjo është çështje tjetër. Problemi i dytë është se e vetmja letër që mund të luajnë ata është karburanti bërthamor dhe ata do të duan ta përdorin këtë sa më shumë për të rritur në maksimum ndihmën humanitare dhe ekonomike.”

Zoti El-Baradei thotë se ka shpresa, por vendet duhet të hyjnë në bisedime, pavarësisht nga rreziqet, nëse duan të arrijnë paqen. Ai tha se beson që bota ka tani një rast unik për t’i vënë këto çështje në tavolinë sa nuk është vonë. //bsa//

XS
SM
MD
LG