Lidhje

Siguria nga sulmet kibernetike



Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano hapi Qendrën e re Kombëtare të sigurisë në internet dhe komunikacione. Qendra 9 milionë dollarëshe bashkon një grup ekspertësh të qeverisë dhe sektorit privat për kompjuterat që monitorojnë dhe parandalojnë ndërhyrjet në sistemin kompjuterik nga keqbërës apo qeveri të huaja.

Nga komunikimi tek financat dhe kujdesi shëndetësor, çdo aspekt i jetës amerikane është i lidhur me kompjuterin.

Varësia tek teknologjia i vë Shtetet e Bashkuara në rrezik për një sulm kibernetik.

“Keqbërësit duan të shkatërrojnë rrjetet e qeveverisë federale dhe ato lokale. Qeveritë e huaja po vënë në provë dhe po zhvillojnë strategji për një luftë agresive kibernetike. Sektori privat kibernetik i spiunazhit minon investimet teknologjike të bëra nga kompanitë amerikane”.

Ligjvënësi demokrat David Price është kreu i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare.

Ai thotë se bizneset humbasin miliarda dollarë në vit nga sulmet kibernetike.

Për të mbrojtur qeverinë dhe sektorin privat, Departamenti i Sigurisë Kombëtare krijoi qendrën integruese për sigurinë kibernetike dhe komunikimin.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano thotë se qendra bashkon sektorin privat me telekomunikacionet dhe zyrat e sigurisë kibernetike brenda departamentit.

“Kjo e gjitha është hartuar për të lehtësuar në kohë dhe me efektivitet krizën në komunikicione, në operacion në rastin e një shkëputje të ndjeshme në komunikim apo incident kibernetik”.

Ndihmës sekretari për sigurinë e rrjeteve kompjuterike dhe komunikacionet, Gregory Schaffer thotë se qendra e re do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara më shumë të përgatitura gjatë një krize, si përshembull një katastrofë natyrore.

“Ka patur një numër raportesh ku është hedhur ideja e rasteve kur dikush mund të ndërmarrë një sulm kibernetik gjatë një uragani në momentin që ne do të merremi me shkatërrimin fizik të rrjetit”.

Zoti Schaffer thotë se qendra e re do të identifikojë dhe njoftojë ndërhyrje në sigurinë e sistemit me më shumë efektivitet sesa më pare.

“Me këto njësi së bashku ne presim të riaktivizojmë sistemin në një mënyrë më të shpejtë dhe të përgatitemi më mire për ngjarjet me të cilat mund të përballemi”.

Kështu mbrohen më mirë Shtetet e Bashkuara nga teknologjia që është përqafuar me aq entuziazëm.//rd//

XS
SM
MD
LG