Lidhje

Obama, thirrje kongresit për miratimin e reformës në shëndetësi


Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë ligjin për reformë në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, presidenti u takua me demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Obama tha se Kogresi ka një mundësi unike për të marrë një vendim historik.

"Ky është momenti për të marrë një vendim të madh. I bëj thirrje anëtarëve të kongresit që t’i përgjigjen këtij momenti, kësaj thirrje të historisë dhe të votojnë për miratimin e reformës në sigurimet shëndetësore për Amerikën."

Ndërsa dhoma e përfaqësuesve debatonte planin demokrat për reformën shëndetësore, presidenti Obama nga oborri i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje ligjvënësve që të votojnë për planin e kujdesit shëndetësor. Ai tha se kongresi duhet të kthejë besimin që votuesit i kanë dhënë atyre, veçanërisht kur është koha më e vështirë për ta bërë këtë.

"Mundësi si kjo shfaqen ndoshta një herë në 25 vjet. Shumica e punonjësve publikë kalojnë gjithë karrierën e tyre pa patur mundësi të bëjnë ndryshime të mëdha në jetët e votuesve të tyre dhe jetën e këtij vendi."

Plani që po debatohet do të kushtonte më shumë se 1 trillion dollarë për më shumë se 10 vjet, dhe do të zgjeronte sigurimet shëndetësore për dhjetëra miliona amerikanë të cilët nuk janë të siguruar.

Republikanët e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë të demokratëve. Guvernatori Haley Barbour, nga shtetit jugor i Misisipit, tha në fjalimin e përjavshëm të republikanëve në radio dhe në internet se ligjvënësit duhet të shqyrtojnë një plan të ndryshëm.

"Ky projektligj për kujdesin shëndetësor do të na kushtojë një trilion dollarë. Ky projektligj do të rrisë koston e pagesave mujore të sigurimeve shëndetësore. Do të ndërpresë shpenzimet e kujdesit shëndetësor për të moshuarit me 500 miljardë dollarë. Dhe do të dëmtonte bizneset e vogla, të cilat krijojnë më shumë vende të reja pune."

Por presidenti Obama thotë se ky plan do të sjellë atë lloj ndryshimi që i nevojitet vendit.

"Miliona amerikanë po shikojnë tani. Familjet e tyre dhe bizneset e tyre po llogarisin tek ne. Para se gjithash, kjo është arsye për të cilën na kanë zgjedhur neve këtu, që më në fund të përballemi me sfidat që me dekada Uashingtoni i ka lënë anash, për të përmirësuar jetët e tyre, për ta bërë vendin më të fortë seç e kemi gjetur."

Presidenti Obama u takua me kryetaren e dhomës së përfaqësuesve Nensi Pelozi dhe me disa udhëheqës të tjerë legjislativë, në përpjekje për të siguruar mbështetje për projekligjin. Disa demokratë kanë thënë se ata do të votojnë kundër projekligjit.

Presidenti Obama dëshiron miratimin e projektligjit për reformimin e kujdesit shëndetësor deri në fund të këtij viti, dhe ka shpenzuar disa muaj duke bërë fushatë në favor të reformave në shëndetësi. //fg//

XS
SM
MD
LG