Presidenti Barak Obama shënoi sot për herë të parë në presidencën e
tij, Ditën e Veteranëve, me një ceremoni me vendosje e kurore dhe një
fjalim në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Uashingtonit.
Në
ceremoninë e zhvilluar sot, Presidenti Obama tha se nuk ka respekt, apo
vlerësim që mund të krahasohet me sakrificën e burrave dhe grave,
pjesëtarë të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Zoti
Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, sot në mëngjez patën të ftuar
në Shtëpinë e Bardhë për ritin tradicional të Mëngjezit të Ditës së
Veteranëve. Në këtë ditë në SHBA nderohen ata që kanë dhënë jetën në
luftë, si dhe burrat e gratë që janë duke shërbyer aktualisht në
ushtrinë amerikane.
Kjo ditë shënohet në Washington, ashtu
sikurse edhe në vende të tjera të botës, për të përkujtuar veç të
tjerash, 91-vjetorin e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve, që i dha
fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore.
Kjo marrëveshje u
arrit pikërisht në orën 11, në datën 11 të nëntorit, muaji i 11 e
vitit. Dita e Veteranëve njihet në Evropë dhe gjetkë si Armëpushimi,
apo Dita e Kujtimit.
Në Londër mbretëresha Elizabet drejtoi
ceremoninë e Ditës së Armëpushimit, siç njihet në Britani, me një
shërbim fetar në Abacinë Uestminster, për të nderuar kujtimin e të
rënëve në luftra, që tradicionalisht shoqërohet me 2 minuta heshtje.
//ii