Lidhje

Në SHBA, veteranët gëzojnë respekt të veçantë


Sot këtu në Shtetet e Bashkuara është Dita e Veteranëve, në nderim të veteranëve të forcave të armatosura për shërbimin dhe sakrificat e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Chris Simkins, kaloi pak kohë me një grup veteranësh të moshuar nga Karolina e Veriut, të cilët erdhën këtu në Uashington, për një peligrinazh që të nderonin shokët e tyre të rënë.

Aeroplani me më shumë se 100 veteranë të Luftës së Dytë botërore mbërriti në orar në Uashington.

Një ceremoni nderimi i priti këta veteranë që gëzojnë respekt të veçantë për shërbimin dhe sakrificat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për këta veteranë të luftës nga Karolina e Veriut admirimi dhe mirënjohja ishte shumë e madhe.

Këta veteranë erdhën në kryeqytetin amerikan si të ftuar të organizatës jo-qeveritare, Rotary International. Destinacioni i tyre i fundit ishte Memoriali i Luftës së Dytë Botërore.

“Një memorial si ky e kishim pritur për një kohë të gjatë ... duhej të ishte ndërtuar para shumë vitesh”.

Memoriali, i cili u hap në vitin 2004 në lulishten kombëtare, nderon shërbimin dhe sakrificat e 16 milionë amerikanëve, që shërbyen, luftuan dhe humbën jetën gjatë asaj lufte.

“Ata luftuan së bashku krah për krah njeri-tjetrit si vëllezër. Ata humbën jetën së bashku dhe tani prehen pranë njeri tjetrit. Ky memorial të ngjall shumë kujtime të trishtueshme”.


Këta burra që panë me sy luftën, nuk e kishin parë memorialin e ngritur për nder të tyre.

Ata u pritën nga ish-senatori amerikan dhe ish kandidati presidencial, Bob Dole, i cili u plagos dhe u dekorua tre herë për heroizmin e tij gjatë operacioneve të forcave aleate për të çliruar Italinë.

Të rrethuar nga bukuria e shatërvanëve dhe pllakat përkujtimore, disa prej veteranëve reflektojnë e kujtojnë.

“Është një memorial shumë emocional. Kam parë disa prej burrave me sy të përlotur”.


Të tjerë bënin fotografi dhe u trogonin histori lufte të rinjve.

“U plagosa nga një predhë e artilerisë gjermane; disa copa predhe i kam ende në trup. Isha pjesë e forcës që zbarkoi në plazhin Omaha në ditën e fitores së forcave aleate”.


Mes pjesëmarrësve ishte senatori amerikan Richard Burr dhe babai i tij, David nga Karolina e Veriut.

“Kjo është një mundësi për individët, që shërbyen para më shumë se 60 vjetësh. Shumë prej tyre nuk kanë folur kurrë rreth asaj që bënë dhe ku shërbyen. Tani kanë mundësi të lidhen me ata njerëz që bënë të njëjtën gjë dhe kurrë nuk e vunë në pikpyetje atë që bënë”.

88 vjeçari Earl Hucks dhe 90 vjeçari Brantley ishin mes 5 vëllezërve, që shërbyen gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Dita e Veteranëve është një ditë që nuk do ta haroj kurrë dhe është shumë domethënëse për mua”.


Për shumë prej këtyre veteranëve, të cilët janë në të 80-tat dhe 90-tat, kjo mund të jetë vizita e tyre e fundit në kryeqytetin Uashington. Por ata thonë se kujtimet që do të marrin me vete nga kjo vizitë do t’i ruajnë gjatë gjithë jetës së tyre. //ii

XS
SM
MD
LG