Lidhje

SHBA: Ankand për makinat e viteve 1950


Dëshironi një makinë të viteve 50 që përfaqëson një pjesë të historisë amerikane të automobilëve? Më shumë se 60 të tilla janë nxjerrë në ankand nga një koleksionist i shtetit Mizuri. Shumë amerikanë kanë nostalgji për atë epokë dhe për makinat e asaj kohe.


Ky muze në Branson të Mizurit të kthen 50 vjet prapa, në një epokë të elegancës dhe dizenjove plot shije. Muzeumi ekspozon një koleksion të automobilëve të restauruar që i përkasin vitit 1957. Aty ka gjithashtu muzikë dhe relike të tjera të asaj kohe.

Automobilët janë nxjerrë tani në ankand dhe kuratori i muzeumit, Bob Schmidt, e quan këtë diçka të trishtueshme. Pronari i muzeut, thotë zoti Schmidt, dëshiron të merret me biznese të tjera prandaj po i shet makinat.

“Kjo është sikur po të vdes një pjestar i familjes sepse unë e fillova këtë projekt para 18 vjetësh dhe garazhi im restauroi shumicën e këtyre makinave, çdo bullon, çdo vidë të tyre.”


Zoti Schmidt ka punuar me makinat që në moshë fare të re dhe gjatë shumë viteve ka restauruar 300 deri 400 automobilë.

Pasioni i tij për këto makina krejt të veçanta është i dukshëm.

“Jam i dashuruar me këto makina të vjetra, ato më kujtojnë vitet kur isha i ri, vitet 50, koha më e bukur e jetës sime.”

Zoti Schmidt tregon se në vitet 50, Amerika prodhonte një stil radikal dhe të çuditshëm automobilësh, që kishin lloj-lloj zbukurimesh përpara dhe shumë pjesë të kromuara.

Edhe vizitori nga Miçigani, Ron Burkhart, e kujton me shumë nostalgji atë periudhë.

“Është një koleksion i mrekullueshëm. Më kujtohet kur i shihja këto makina në lagje kur isha fëmijë. Çdo makinë ishte e ndryshme, janë stile të ndryshme e të veçanta krahasuar me makinat që shikon sot.”

Muzeumi u hap në vitin 2006 dhe përfshin 65 automobilë të vitit 1957, që të gjithë në gjendje të shkëlqyer.

Aty mund të shikosh se si Krajsleri tentoi të instalonte gramafonin e parë brenda një makine. Problemi ishte se kur makina tronditej pak, muzika ndalonte.

Organizatorët e ankandit shpresojnë të tërheqin mjaft blerës dhe jo vetëm amerikanë.

Vende si Norvegjia, Suedia, Australia dhe Gjermania janë shumë të interesuara për makinat amerikane të viteve 50 dhe 60, thotë zoti Schmidt.

Ai thotë se me mbylljen e muzeumit nuk do të humbasë thjesht një koleksion makinash.

“Ky është stili i jetesës i viteve 50. Është si të ecësh në një qytet të atyre viteve.”


Zoti Schmidt thotë se do të punojë me makinat edhe pas mbylljes së muzeumit sepse për të kjo nuk është thjesht punë por një mënyrë jetese. //ii

XS
SM
MD
LG