Lidhje

Zgjedhjet komunale dhe përparimi i Kosovës


Me afrimin e zgjedhjeve komunale të 15 nëntorit në Kosovë, ende mbetet e paqartë pjesëmarrja e pakicës serbe. Ata që nxisin mospjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, përfshirë Beogradin, thonë se nuk ekzistojnë kushtet. Ata që e mbështesin pjesëmarrjen thonë se pakica serbe duhet të dalë në votimet e 15 nëntorit, sepse strukturat që mbështeten nga Beogradi nuk janë në gjendje të përmbushin asnjë prej nevojave institucionale të serbëve. Në grupin e dytë bën pjesë edhe profesor James Pettifer në Akademinë britanike të Mbrojtjes. Profesor Pettifer, i cili e njeh mirë Ballkanin dhe ka shkruar një numër librash për të, shpreh besimin se zgjedhjet e së dielës do të shkojnë mirë, madje ai thekson s edemokracia funksionon për ata që marrin pjesë në këtë proces. Me zotin Pettifer bisedoi kolegja Zamira Edwards.

Analistët thonë se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës ka qënë i vazhdueshëm, por më i ngadaltë se sa ishte pritur fillimisht. Profesor James Pettifer, thotë se megjithë ritmin e këtij procesi, Kosova ka bërë përparim në krijimin e institucioneve, madje ai shpreh bindjen se zgjedhjet e së dielës do të shkojnë mirë.

“Jam i sigurt se zgjedhjet e 15 nëntorit do të shkojnë mirë sepse që nga viti 2000 Kosova ka një traditë të mirë për zgjedhjet, të cilat janë përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar”.

Profesor Pettifer thotë se disa prej sfidave me të cilat përballet Kosova e kanë origjinën tek Plani Ahtisari, i cili përmban disa elementë që janë vështirë të funksionojnë, veçanërisht çështja e Mitrovicës Veriore. Qeveria e Prishtinës nuk ka asnjë farë kontrolli mbi zhvillimet në atë zonë dhe kjo gjëndje nuk ka ndryshuar që prej fillimit. Një problem tjetër është çështja e sigurisë, thotë profesori i Akademisë britanike të Mbrojtjes.

“NATO-ja ka pakësuar numrin e trupave në KFOR dhe ndërsa në bazë të dokumentave në Kosovë ka rreth 10 mijë trupa të huaja, nuk dihet me siguri kapaciteti operacional. Në se Kosova do të përballej me ndonjë krizë, është vështirë të parashikojmë se si do të zgjidhej ajo. Madje disa prej çështjeve të reformës së sigurisë të lidhura me pavarësinë nuk janë shqyrtuar. Në Kosovë ekziston mungesa e një kapaciteti sigurie”.

Plani Ahtisari nuk përmban një dispozitë rreth krijimit të ushtrisë së Kosovës dhe sipas analistëve, herët a vonë, kjo çështje duhet shqyrtuar.

Një shqetësim tjetër i madh janë strukturat paralele të Beogradit në zonat e banuara nga serbët, të cilat parandalojnë zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe pikërisht në këtë kontekst, profesor Pettifer shpreh shqetësim rreth qëndrimit amerikan.

“Shumë prej nesh që jemi marrë me çështjen e Kosovës për një kohë të gjatë, jemi të shqetësuar rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara kohët e fundit. Nuk duhet harruar sa i rëndësishëm është anagazhimi amerikan në Ballkan dhe deri në një farë masa kjo sikur është harruar, sepse siç dihet, pa Shtetet e Bashkuara, nuk do të kishte shtet të Kosovës”.

Serbia ka luajtur një rol negativ në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke shfrytëzuar çështjen e precedentit që mund të krijojë pavarësia. Sipas analistëve, tani për tani, Serbia, është në pozita të forta kur është fjala për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Për sa kohë që Serbia të ketë mbështetjen e Rusisë, Kinës, e disa vendeve të tjera të mëdha, si India, analiatët thonë se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim. Profesor Pettifer thekson se vazhdimi i njohjes së pavarësisë nga vende të tjera është shumë i rëndësishëm, sepse pavarësia e Kosovës është faktor stabiliteti në Ballkan dhe Evropë. Profesor Pettifer thotë se edhe në këtë aspekt e shqetëson politika amerikane.

“Ekziston tendenca që gjërat t’u lihet evropianëve. Dhe kjo ka qënë e vërtetë për një kohë të gjatë, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me administratë republikane apo demokrate në Uashington. Në Ballkan ka pasur shumë raste në 20 vjetët e fundit, që, kur është ndjekur një politikë e tillë, gjërat nuk kanë shkuar mirë. Pa agazhimin dhe energjinë e Shteteve të Bashkuara ne nuk do të shikojmë përparimin që do të dëshironim”.

Lidhur me zgjedhjet e së dielës, profesor Pettifer, thotë se demokracia funksionon për ata që marrin pjesë në këtë proces. Në se vetëm 25 për qind e popullsisë mer pjesë në zgjedhje, ashtu siç janë të gjithë treguesit, atëhere vetëm ky segment i popullsisë do të vendosë për të ardhmen e vet dhe nuk ka asnjë dobi që pjesa tjetër, pra 75 për qind e popullsisë, vetëm të ankohet. Profesori Pettifer shpreson që më shumë serbë të marrin pjesë në zgjedhje. //rd//

XS
SM
MD
LG