Lidhje

Gazi rus, politikat dhe parate


Kryeministri rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Ukrainën se do të ndërpresë furnizimin e vendit me gaz natyror nëse ky vend vazhdon të zbraz tubat e linjave eksportuese.

Zoti Putin e bëri këtë deklaratë në Moskë pas takimit me kancelarin austriak Verner Fejman. Paralajmërimi i tij përmban një kërcënim indirekt se evropianët këtë dimër mund të ndeshen me mungesë të gazit që vjenë nga Rusia përmes tubave në territorin e Ukrainës. Vitet e fundit konsumatorët evropianë kanë ndjerë ndikimin e mosmarrëveshjes së pagesave mes Rusisë dhe Ukrainës. Duket se Ukraina do të vazhdojë të ketë probleme në financimin e importit të karburantit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Piter Fedinski njofton nga kryeqyteti rus.

Kryeministri rus Vladimir Putin ka diskutuar çështjen e energjisë me udhëheqësit evropian gjatë gjithë këtij viti. Ai u takua me kryeministrin hungarez në maj për të shpejtuar ndërtimin e linjës së të reja transportuese të gazit nga Rusia në Evropë, që anashkalon territorin ukrainas.

"I kemi paguar tashmë 2,5 miliard dollarë Ukrainës për tranzit. Le të hedhin evropianët një miliardë të tjerë".

Përse janë bërë kaq dorështrënguar evropianët? Edhe ata kanë para. Le të nxjerrin diçka nga xhepat e tyre.”

Kryeministrja ukrainase Julia Tomashenko thotë se vendi i saj i ka paguar Rusisë 500 milionë dollarë për faturën e muajit tetor. Ajo thotë gjithashtu se presidenti Viktor Jushçenko ka bllokuar pagesat që zakonisht bëhen përmes bankës kombëtare të Ukrainës. Zoti Jushçenko, kritikon nga ana e tij zonjën Timoshenko për negocimin e një kontrate të gazit që favorizon Rusinë.

Zonja Tomashenko dhe zoti Jushçenko janë kandidatë për president në zgjedhjet presidenciale të janarit në Ukrainë.

Konstantin Simonov nga Fondi Kombëtar rus i Sigurisë Energjetike, është dakord me të dy akuzat. Ai thotë se zonja Tomashenko e ka detyruar Ukrainën të paguaj për sasi gazi që nuk e shfrytëzon. Zoti Simonov thotë se presidenti ukrainas i kanë sytë tek zgjedhjet e ardhshme.

"Presidenti Jushçenko dhe përkrahësit e tij janë të preokupuar, para se gjithash me rizgjedhjen e tyre. Për ta është e qartë se e vetmja mënyrë për të qëndruar në pushtet është organizimi i ndërprejeve të gazit, apo një luftë për gazin me Rusinë do të përbënte një skenar ideal për ta".

Ndërkohë, Finlanda dhe Suedia miratuan në fillim të nëntorit ndërtimin e Linjës Veriore të gazit në ujërat e tyre. Kjo linjë do të shmang Ukrainën, në transportimin e gazit rus në Evropën Veriore nën ujërat e Detit Baltik. Por ministri i mbrojtjes i Estonisë Jak Avikso akuzon Moskën për lojëra politike.

"Vendimi për të ndërtuar Linjën e Veriut dhe atë të Jugut duke shmangur një numër vendesh të Evropës Lindore dhe qëndrore është një vendim politik. Dhe fatkeqësisht këto vende që nuk janë konsultuar për këtë çështje ndjehen të përjashtuara nga ky proces".

Vendet evropiane gjithashtu po shqyrtojnë ndërtimin e një gazësjellësi tjetër, Nabuko, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe do të shmangte Rusinë duke marrë furnizime nga Azia dhe Lindja e Mesme.

Marshall Goldman nga Universiteti i Harvardit i tha Zërit të Amerikës se Moska po kërkon të parandalojë një konkurrencë të tillë me linjat e gazit duke futur në lojë kundër njëra tjetrës vendet evropiane.

"Do të bëjmë një marrëveshje të veçantë me ju, do t'ju ofrojmë zbritje të çmimit, nënshkruani me ne dhe do të jeni të sigurtë. Ne nuk do të ju ndërpresim furnizimet. Këto biseda pengojnë krijimin e një fronti të bashkuar kundër Rusisë".

Konstantin Simonov paraljamëron Evropën se ajo nuk mund të zëvëndësoj sasinë e madhe të gazit që vjenë nga Rusia me gazësjellësin Nabuko që ka kapacitet vjetor relativisht të vogël prej 31 miliard metër kubë. Ai gjithashtu e vë në pikëpyetje besueshmërinë e potencialit të furnizuesve të gazësjellësit Nabuko.

"Do të doja të pyes përkrahësit e projektit Nabuko – keni qënë në Turkmenistan, Iranin apo Egjiptin. A nuk keni rezerva se këto vende janë më të afta të politizojnë dialogun mbi energjinë se sa Rusia? Nuk mendoj se Rusia po e përdor gazin si armë politike. Rusia ka problem tjetër – do të bëjë shumë para".

Zoti Simonov thotë se Rusia nuk duhet të lejohet të ngushtoj tregun e gazit në Azinë Qëndrore, i cili tashmë rrjedh përmes tubave në Rusi dhe Ukrainë drejtë Evropës.

Një monopol do të rriste çmimet dhe do të shtonte problemet e pagesave të Ukrainës në vitet e ardhshme.//rd//

XS
SM
MD
LG