Lidhje

Bill Klinton në Izrael bën thirrje për paqe në Lindjen e Mesme


Një nga ish presidentët amerikanë që u përpoq dhe dështoi në ndërmjetësimin e një marrëveshje përfundimtare të paqes në Lindjen e Mesme është kthyer përsëri në rajon. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Robert Berger njofton nga Jeruzalemi.

Ish presidenti amerikan Bill Klinton ndodhet për vizitë në Izrael për të shënuar 14-vjetorin e vrasjes së kryeministrit Jitzhak Rabin.

“Gjatë 14 vjetëve të fundit, nuk ka kaluar javë që nuk kam menduar për Jitzhak Rabinin dhe më ka munguar jashtëzakonisht shumë.”

Zoti Klinton ishte president kur zoti Rabin u vra nga një hebre ortodoks që kundërshtonte politikat e tij për dorëzimin e disa pjesëve të tokës biblike nga Izraeli tek palestinezët në këmbim të paqes.

Ish presidenti amerikan mendon se si do të kishin qenë gjërat nëse zoti Rabin do të kishte jetuar.

“Nuk ka kaluar asnjë javë që nuk jam bindur gjithnjë e më shumë se po të mos e kishte humbur jetën gjatë asaj nate të tmerrshme, brenda tre vjetëve ne do të kishim pasur një marrëveshje gjithpërfshirëse për paqe në Lindjen e Mesme.”

Pesë vjet pas vrasjes, zoti Klinton bëri një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen e paqes në takimin e Kemp Dejvid pranë Uashingtonit në vitin 2000. Ai bashkoi kryeministrin izraelit dhe udhëheqësin palestinez Jaser Arafat për dy javë bisedimesh intensive, por takimi dështoi. Dy muaj më vonë, filloi kryengritja e dytë palestineze dhe procesi i paqes përfundoi me një valë dhune.

Por tani, 8 vjet pasi është larguar nga detyra, zoti Klinton u bëri thirrje përsëri izraelitëve dhe palestinezëve të bënin paqe, duke thënë se ata nuk mund ta shmangin të ardhmen e tyre të përbashkët. Ai tha se divorci nuk është alternativë. //bsa//

XS
SM
MD
LG