Lidhje

Obama, Medvedev diskutojne traktatin START, Iranin



Presidenti amerikane Barak Obama dhe homologu i tij rus Dmitri Medvedev thanë se kanë ende në plan që deri në fund të vitit të zëvendësojnë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore. Të dy udhëheqësit u takuan sot në Singapor pas mbylljes së punimeve të Forumit të Azi-Paqësorit për Bashkëpunimin Ekonomik. Presidenti Obama dhe presidenti Putin janë angazhuar të zëvendësojnë traktatin Start-1, i cili skadon më 5 dhjetor.

Në përpjekje për të bërë përparim gjatë samitit ekonomit të vendeve të Azi-Paqësorit, presidenti Barak Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të zëvendësojnë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore deri në fund të vitit. Në takimin e tyre pas samitit, presidentët Obama dhe Medvedev njoftuan se ish armiqtë e Luftës së Ftohtë po bëjnë përparim të ndjeshëm në negociatat për të zëvendësuar marrëveshjen START.

"Negociatorët tanë kanë bërë përparim të shkëlqyer gjatë këtyre muajve. Synimi ynë vazhdon të jetë mbyllja e negociatave për të nënshkuar një marrëveshje para fundit të vitit. Kam besim se në se punojmë dhe kemi parasysh urgjencën e veprimit, duhet të jemi në gjendje të përfundojmë. Besoj se të dyja palët po punojnë shumë për të zgjidhur çështje të vështira teknike me vullnet të mirë".

Në turneun e pare në Azi, pas 10 muajsh në detyrë, presidenti Obama tha se palët diskutuan marrëveshjen që do të pasojë atë të vitit 1991.

Zoti Medvedev tha se shpreson që negociatorët e të dyja vendet do të përfundojnë tekstin e dokumentit brenda dhjetorit.

Presidentët Obama dhe Medvedev ranë dakort në prill të arrinin një marrëveshje të re për pakësimin e armëve bërthamore që do të zëvendësonte marrëveshjen ekzistuese të vitit 1991 të nënshkruar nga presidenti George H.W. Bush dhe homologu i tij, Mihail Gorbaçov.

Lidhur me programin bërthamor të Teheranit, presidenti Obama tha se Iranit nuk po i mbetet shumë kohë për të nënshkruar një marrëveshje për pasurimin e uraniumit të Iranit në një vend tjetër. Zoti Medvedev tha se ende shpreson ta bindë Iranin të dërgojë uraniumin e tij për pasurim në Rusi. Në se plani dështon, tha Medvedev, në tryezën e bisedimeve mbeten alternativa të tjera. Ai ka thënë se sanksione të tjera kundër Iranit janë të mundshme nëse Teherani nuk pranon inspektorë për të provuar se nuk po përpiqet të prodhojë bombë bërthamore.

XS
SM
MD
LG