Lidhje

APEC-u përfundon punimet me zotimin për rimëkëmbjen e ekonomisë


Udhëheqësit e vendeve të Paqësorit kanë përfunduar mbledhjen e tyre vjetore me zotimin për të punuar në rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike dhe për të hedhur poshtë proteksionizmin.

Udhëheqësit e 21 ekonomive të Paqësorit morën pjesë në një mbledhje të mbajtur në Singapor.

Por lajmi më i rëndësishëm ishte ai i takimeve dy-palëshe mbrapa dyerve të mbyllura.

Presidenti amerikan Barak Obama u përqendrua në takimet anësore, duke u angazhuar në diplomaci personale thuajse të pandalshme.

Ai filloi herët dje me një takim të papritur mbi ndryshimet klimatike me udhëheqësit e Meksikës dhe Australisë.

Gjatë mëngjesit, kryeministri i Danimarkës inkurajoi këtë grup për të mbështetur një qasje tjetër për të shpëtuar konferencën e ardhshme ndërkombëtare mbi ndryshimet klimatike që do të mbahet në Kopenhagë.

Edhe pse negociatat mbi një marrëveshje globale për klimën janë në vështirësi, ekziston një konsensus mbi një mundësi tjetër: miratimin e një kornize politike në Kopenhagë dhe më vonë trajtimin e hollësive të saj.

Gjithashtu kishte përpjekje për të vazhduar me bisedimet mbi kontrollin e armëve ndërmjet presidentit Obama dhe presidentit rus Dimitri Medvedev të cilët diskutuan mbi zëvendësimin e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike të vitit 1991 i cili së shpejti do të skadojë.

Presidenti Obama tha se ai ende beson se një marrëveshje mund të arrihet nga fundi i këtij viti.

"Kam besim që nëse punojmë fort dhe me përparësi mbi këtë çështje atëherë duhet të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje. Unë besoj se dy palët po përpiqen të zgjidhin disa nga çështjet e vështira teknike por me frymën e besimit të ndërsjellë."

Ata gjithashu biseduan mbi programin bërthamor të Iranit. Presidenti Obama i bëri thirrje Irani përsëri që të pranojë eksportimin e uraniumit të tij jashtë vendit për ta pëpunuar.

"Nuk kemi më kohë të presim që kjo taktikë të funskionojë. Kështu që diskutova me presidentit Medvedev mbi faktin se duhet ta ruaj,ë përparësinë e kësaj çështjeje."

Presidenti Medvedev, duke folur përmes një përkthyesi tha se ai ende shpreson të bindë Iranin që ta pranojë ofertën.

"Ne jemi të përgatitur të punojmë edhe më tej dhe unë shpresoj që puna jonë e përbashkët do të sjellë rezultate pozitive."

Presidenti Obama ishte gjithashtu presidenti i parë amerikan që u takua me të gjithë dhjetë anëtarët e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, përfshirë Birmaninë.

Ai bëri thirrje për reforma politike në Birmani dhe lirimin e avokates së demokracisë Aung San Su Ki.

"Dje në Tokio unë e rikonfirmova politikën time ndaj Birmanisë."

Takimi i fundit i presidentit Obama para se të udhëtonte nga Singapori ishte takimi me presidentin e Indonezisë Susilo Bambang Yudhoyono.

Presidenti Obama ka kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij në Indonezi, dhe e ka quajtur veten si presidenti i parë amerikan i Paqësorit.

Më 2011, presidenti Obama do të organizojë takimin vjetor të udhëheqësve të vendeve të Paqësorit.

Presidenti Obama tha në Singapor se planifikon ta organizojë këtë takim në shtetin e tij Hauai. //bsa//

XS
SM
MD
LG