Lidhje

Thaçi: Zgjedhjet lokale, provimi më i madh pas pavarësisë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet e së dielës për pushtetin komunal, ishin provimi më i rëndësishëm për shtetin e ri pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008. Kryeministri Thaçi, është i bindur se gjuha e ashpër politike që përshkoi fushatën para zgjedhjeve nuk do të dëmtojë koalicionin qeverisës të partisë së tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës, madje sipas tij, zgjedhjet ishin referendum për qeverinë e vendit. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, kryeministri Thaci foli edhe për sfidat që ka vendi në rrugëtimin e tij drejt integrimeve evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër. Kosova sapo kaloi raundin e parë të zgjedhjeve të saj të para që nga shpallja e pavarësisë së saj. Si e vlerësoni ju rrjedhën e këtyre zgjedhjeve?

Hashim Thaçi: I gjithë procesi elektoral edhe fushata edhe dita e votimit edhe procesi i administrimit të votimit edhe tash njohja dhe pranimi i rezultatit zgjedhor nga gjithë spektri politik, mund te them lirisht ne emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, se ka qenë një procesi shkëlqyeshëm. Një proces që ka instaluar definitivisht demokracinë në Kosovë, që ka siguruar një sukses kuptimplotë në Republikën e Kosovës. Ka qenë provimi më i rëndësishëm për shtetin tonë pas shpalljes së pavarësisë. Këto janë zgjedhjet e para të lira e demokratike në Kosovën e pavarur, me një përfaqësim të të gjithë spektrit politik dhe etnik mund të them. Edhe pjesëmarrja e qytetarëve serb në zgjedhje i ka dhënë një mesazh shumë të qartë edhe realitetit politik në Kosovë, por edhe gjithë botës demokratike, se në Kosovë është instaluar rendi demokratik, demokracia, është instaluar perspektiva e sigurt për Kosovën si vend demokratik dhe atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: E përmendët shtimin e numrit të pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë marrë pjesë në zgjedhje, posaçërisht në Kosovën qendrore dhe atë juglindore, ndërkaq kemi vazhdimin e një bojkotimi në pjesën veriore. A po ndodhë kjo ndarje edhe ndërmjet vetë komunitetit serb sipas atyre vijave të ngritura më herët për ndarjen e mundshme të Kosovës?

Hashim Thaçi: E para, unë mendoj që ky proces elektoral ka treguar se ky është fillimi i fundit të ndikimit të Beogradit në Kosovë, tek qytetarët serb shtetas të Republikës së Kosovës. Natyrisht se të gjitha punët nuk mund të kryhen përnjëherë, por me rëndësi është se shumica e qytetarëve serb kanë treguar besim në Kosovën e re, në shtetin ri të Kosovës, në institucionet e Kosovës. Tash, ata kanë në shumicën e komunave liderët e tyre legjitim dhe unë pres me padurim të punoj me ta për të mirën e tyre në të gjitha lokalitetet, Por, është edhe hapi tjetër që do të organizohen zgjedhje gjithashtu në veri, në dy komuna në periudhën që jemi marrë vesh edhe me autoritetet ndërkombëtare ne pranverë të vitit të ardhshëm. Por, unë dëshiroj t’i falënderoj gjithë serbët për pjesëmarrjen e tyre simbolike, por shume të fuqishme për suksesin e gjithanshëm tonin.

Zëri i Amerikës: Ka pasur disa ankesa për parregullsi nga partitë e ndryshme politike. A ka rrezik që kjo të dëmtojë procesin, a janë të përmasave të tilla...?

Hashim Thaçi: Janë krejt të natyrshme ankesat politike në çdo vend edhe më demokratik të botës. Por edhe ambasadori amerikan (Christopher Dell) e prezantoi dhe e vlerësoi këtë proces si lulëzim të demokracisë në Kosovë, pastaj edhe një vlerësim i lartë që erdhi nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet, nga të gjitha organizatat ndërkombëtare, nga autoritetet tjera monitoruese ndërkombëtare që ishin në Kosovë. Ka vende, mund të them, të izoluara të cilat do të shqyrtohen me seriozitetin më të lartë se a ka pasur parregullsi apo nuk ka pasur, por prej organeve kompetente, edhe nga KQZ që ka bërë një punë të shkëlqyeshme por edhe nga Komisioni për Ankesa e Parashtresa. Unë dua të besoj fuqishëm se nuk do të lëshohet pe në asnjë defekt që mund të jetë paraqitur kudo në procesin elektoral në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër. Fushata për këto zgjedhje është karakterizuar nga një gjuhë më e ashpër sesa në të kaluarën. Madje, ashpërsia e saj është vërejtur edhe tek partitë që janë në koalicionin qeverisës. Dhe kjo ka nxitur debate për të ardhmen e këtij koalicioni. A e ka vënë në pikëpyetje këtë të ardhme?

Hashim Thaçi: Natyrisht se procesi elektoral përshkohet edhe me partneritet edhe me rivalitet. Rivalitet ku i cili vetëm sa avancon vlerat demokratike, projektet e prezantuara nga autoritetet lokale për qytetarët. Projekte këto që mund të them e rrisin konkurrencën e lirë dhe cilësinë edhe të pluralizmit edhe të partive edhe të kandidatëve edhe të vlerave. Por ne vazhdojmë të punojmë fuqishëm, vazhdojmë me qeverisjen e mirë. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ishin referendum dhe besim i qytetarëve të Kosovës për qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ndihem tepër mirë që udhëheqë qeverinë në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën dhe falënderoj gjithë qytetarët për besimin e tyre që kanë treguar. Potencoj përsëri se në këto zgjedhje ka fituar shteti i Kosovës, kanë fituar të gjithë qytetarët, kanë fituar të gjitha partitë. Natyrisht, çdo proces demokratik ka parti të parë dhe ndihem tepër mirë që udhëheqë partinë më të madhe, më të konsoliduar dhe partinë fituese edhe në këto zgjedhje. Koalicioni vetëm sa është fuqizuar dhe konsoliduar dhe do të vazhdojmë me prioritetin numër një, tani e tutje, me prioritetin e integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO dhe reformat e domosdoshme në të gjitha drejtimet, qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, përmendët integrimin evropian dhe nevojën e reformave. Nevoja e reformave posaçërisht është shtruar për gjyqësinë, e në raportin e fundit të Komisionit Evropian janë shtruar edhe disa fusha të tjera, posaçërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ku ndodhet Kosova....?

Hashim Thaçi: Ne kemi mirëpritur raportin e progresit, raport ky vlerëson lart të arriturat e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Raport që paraqet edhe sfidat që janë edhe prioritete të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj, në veçanti lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ne do të vazhdojmë të jemi të pa kompromis me moton, “zero tolerancë ndaj korrupsionit”. Do të vazhdojmë reformat dhe kemi kërkuar edhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht në drejtësi, por edhe në drejtimet tjera të nevojshme që paraqiten nga sfidat që dalin nga raporti i progresit. Por raporti i progresit i hapi, pikërisht nga suksesi që arritëm në dy vitet e fundit, perspektivën evropiane Republikës së Kosovës. Qoftë perspektiva për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare, për dialogun për procesin e asociim stabilizimit. Kështu që mund të them se këto dy vite të shtetit të Kosovës, ishin vite të suksesit të plotë demokratik edhe qeverisës, por edhe zhvillimit ekonomik, sepse ne edhe këtë vit po punojmë maksimalisht ta ruajmë trendin e zhvillimit ekonomik.

Zëri i Amerikës: E përmendët liberalizimin e vizave. Fqinjët e Kosovës tashmë e fituan këtë të drejtë nga 19 dhjetori. Kosova mbeti jashtë këtij procesi. Si ndjehet kryeministri i Kosovës në një periudhë të tillë? Qytetari i Kosovës do të donte të ishte pjesë e këtij procesi.

Hashim Thaçi: Ne edhe do të donim dhe kemi punuar që të jemi, por mos të harrojmë se Kosova është vetëm qe një vit e gjysmë shtet. Dhe ne u futëm në procesin integrues në mënyrë shumë meritore. Vendet tjera qe 18 vite i kanë kaluar këto procese dhe vetëm tani arritën të fitojnë këtë të drejtë. Ndërsa ne vetëm për një vit e gjysme arritëm të jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe unë besoj shumë shpjet edhe kjo çështje do të rregullohet në mënyrë rekorde në raport edhe me vendet tjera të rajonit, sepse shteti i Kosovës ka sjellë paqe, stabilitet e bashkëpunim rajonal por edhe perspektivë evropiane për të gjitha vendet e rajonit. Kështu që unë jam shumë krenar që kemi hapur perspektivën e sigurt evropiane të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, në këtë rrugë ka shumë kërkesa nga Bashkimi Evropian ka shumë kritere të përcaktuara dhe një prej tyre është edhe qasja ndaj medieve në Kosovë. Ju jeni përballur me kritika rreth qasjes suaj ndaj medieve dhe raportit të pushtetit dhe politikës me mediet në Kosovë...?

Hashim Thaçi: Edhe Kosova nuk është përjashtim prej vendeve të tjera të rajonit dhe për të gjitha vendet e rajonit përmendet raporti i politikës me mediet, por ne do të vazhdojmë të investojmë që të arrijmë standardin më të lartë të zhvillimit dhe kultivimit të medieve të lira dhe unë do të vazhdoj të jem partner i fuqishëm, por edhe mbështetës i fuqishëm i instalimit të këtij standardi në Republikën e Kosovës. Unë dua të besoj fuqishëm se do të jemi model edhe për rajonin dhe unë falënderoj të gjitha mediet për mënyrën, punën e shkëlqyeshme që janë duke e bërë në Republikën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, edhe pak ditë Kosova shkon në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë ku do të shqyrtohet ligjshmëria e pavarësisë së saj. Cfarë prisni nga ky proces?

Hashim Thaçi: Unë nuk dëshiroj të prejudikojë e as të jap ndonjë mesazh politik sa i përket kësaj gjykate. Kam besim të plotë se do të kemi vlerësimin real të respektimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës për vendimin për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur sovran dhe demokratik më 17 shkurt të viti 2008.

Zëri i Amerikës: A prisni njohje të reja?

Hashim Thaçi: Njohje të reja do të vazhdojnë, do të rriten edhe më tepër pas përfundimit të këtij procesi.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, kritikët tuaj shpesh e kanë përmendur faktin se ju keni premtuar njohjen e 100 vendeve për një periudhë të shkurtër dhe kjo nuk është realizuar. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Hashim Thaçi: Nëse krahasohemi me vendet tjera të rajonit kur i kanë shpallur pavarësitë e tyre, ne jemi rekord. Kemi fituar deri tani 63 njohje, kemi konsoliduar shtetin, por vëmë bazën e fuqishme të demokracisë. Njohjet e reja do të vijnë edhe më tepër në veçanti pas këtij procesi elektoral shumë të suksesshëm, por edhe pas përfundimit të procesit të gjykatës ndërkombëtare. //ii

XS
SM
MD
LG