Lidhje

Rubrika "Mjekësi dhe Shkencë", diabeti dhe virusi H1N1


Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se të paktën 180 milion njerëz në botë vuajnë nga diabeti. 90 për qind e tyre kanë atë që quhet diabeti i tipit 2, i cili shkaktohet nga pa-aftësia e organizmit për të përdorur insulinën. Studiuesit janë përqëndruar kohët e fundit në një hormon të quajtur adiponectin, që e ka prejardhjen nga qelizat dhjamore dhe që ka treguar se mund të ulë rrezikun e diabetit.

Ndërkohë, disa reparte urgjencash në spitale këtu në Shtetet e Bashkuara po përballen me raste të shumta të virusit H1N1. Një spital në periferi të Uashingtonit filloi të bënte planet për një skenar të tillë që në muajin prillin.

LIDHJET MES DIABETIT DHE NJË HORMONI QË PRODHON DHJAMË

Rreziqet më të mëdha për prekjen nga diabeti janë ushqimi me shumë yndyrë e sheqer ose mungesa e fiskulturës, ose nga të dyja. Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë, qindra miliona njerëz po shtojnë në peshë, gjë që shton rrezikun e prekjes diabetit.
Mbipesha dhe mungesa e aktiviteteve fizike shoqërohen me diabetin e tipit 2. Sipas parashikimeve rreth 350 milion njerëz do të diagnostikohen me diabet deri në vitin 2030.
Mjekët për një kohë të gjatë kanë udhëzuar pacientët për një dietë me ushqime pa yndyrë dhe për një jetë aktive. Por tani studiuesit kanë gjetur se niveli i lartë i hormonit adiponectin, që prodhon dhjamë, nuk është i dëmshëm.

Studjuesi Rob van Dam dhe kolegët e tij në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Harvardit pas studimit të rreth 14 mijë pacientëve kanë konfirmuar diçka interesante: ata nuk janë të sigurtë për arsyen, por pacientët me rrezik më të ulët të diabetit të tipit 2 duket se kanë nivel më të lartë të hormonit adiponectin.

“Ky hormon ka ndikime pozitive në mëlçi e në muskuj dhe duket se shton ndjeshmërinë e insulinës”.

Zoti van Dam thotë se lidhja e hormonit adiponectin me rrezikun më të ulët të diabetit shikohet tek njerëz të ndryshëm, pavarësisht nga gjinia, raca apo edhe indeksi i masës trupore.

MASA TË SUKSESSHME PARAPRAKE KUNDËR VIRUSIT A-H1N1

Mjekja infeksioniste, Tam Ly thotë se po shikon gjithnjë e më pak raste të virusit H1N1 në spitalin Fakir, në jug të Uashingtonit.

Dr. Ly thotë se vala e parë e infeksioneve në spitalin e saj arriti kulmin nga fundi i tetorit, madje ajo pret një valë tjetër brënda pak muajve të ardhshëm.

“Spitali ynë u përgatit shumë muaj përpara në pritje të këtij virusi. Ne gjithnjë shpresuam për skenarin më të mirë, por u përgatitën për një gjendje të rëndë nëse do të përballeshim me të”.

Distrikti rural Fakir në Virginia është i njohur për kodrat e pafund dhe fermat me kuaj. Spitali Fakir ka vetëm 100 shtretër dhe i shërben vetëm komunitetit Warrenton.

Kur rastet e para të virusit H1N1 u njoftuan në Meksikë, spitali Fakir filloi planet. Tracy Turman është në krye të përpjekjeve emergjente të spitalit.

“Ne kemi emergjencën si dhe krijuam këtë sallë si klinikë vaksinimi të virusit H1N1. Këtë dhomë të vogël e kthyem në dhomë pritjeje”.

Zyrtarët e spitalit e ndanë sallën e urgjencës në dy zona të veçanta.

Objektivi i tyre është përballimi i një numri të madh pacientësh, ndërsa përpiqen të parandalojnë përhapjen e virusit në pjesë të tjera të spitalit.

Planifikimi i tyre pati rezultat kur rastet e gripit u shtuan në departamentin e urgjencës. Traci Turman thotë se klinika e veçantë për këtë grip bëri që të kishte më pak stres për personelin dhe vetë funksionimin e spitalit.

“Zakonisht ne kemi rreth 80 pacientë në ditë në sallën e urgjencës. Kohët e fundit, ne patëm rreth 158 pacientë. 50 prej tyre kishin simptoma të gripit”.

Shumica e rasteve me grip në spitalin Fakir kanë qënë të grupmoshave me rrezik të lartë, si gra shtatzanë, fëmijë të vegjël dhe njerëz me sistem të dobët imunitar. Në se ky grip ringjallet përsëri, zyrtarët e spitalit thonë se janë gati ta përballojnë atë. Dhe ndërsa gjithnjë e më shumë njerëznë zonën Warrenton vaksinohen, zyrtarët e spitalit shpresojnë që më e keqja ka kaluar. (ze)

XS
SM
MD
LG