Lidhje

Rregullore e re për mamogramet


Një grup pune i qeverisë amerikane ka publikuar rregulla të reja se sa herë gratë duhet të bëjnë mamogramë për të testuar kancerin në gji. Komisioni thotë se për shumicën e grave mamograma duhet të fillojë në moshën 50 vjeçare dhe jo në moshën 40 vjeçare siç rekomandohej fillimisht. Por jo të gjithë janë dakort me rregullat e reja.

Nancy Gaul që i ka mbijetuar kancerit të gjirit është mes atyre që është kundër rregullores së re të qeverisë amerikane se mamogramet rutinë duhet të fillojnë në moshën 50 vjeçare dhe jo 40.

"Jam e tronditur nga kjo rregullore pasi po të mos e kisha bërë mamogramën në moshën 40 vjeçare, nuk do të isha këtu sot".

Mamogrameve iu njihet merita për pakësimin e rasteve të vdekjes nga kanceri i gjirit. Por komisioni qeveritar thotë se nga rekomandimet e reja do të përfitojnë më shumë gra duke shkurtuar analizat e panevojshme dhe biopsitë e dhimbshme dhe duke ulur ekspozimin ndaj radiacionit. Doktoresha Diana Petitti është pjesë e grupit të punës.

"Kur mamografia fillon nga 40 deri në 49 vjeç, përfitimet janë më të vogla, alarmimet fallso janë më të larta sesa kur skanimi fillon në mosha më të mëdha".

Kjo për arsyen se indet e gjirit të grave të reja janë më me dendësi sesa ato të grave të moshuara dhe gjetja e tumorëve tek gratë e reja është më e vështirë. Grupi i punës rekomandon gjithashtu më pak mamografi – çdo dy vjet për shumicën e grave pas moshës 50 vjeçare në vend të çdo viti duke filluar nga mosha 40 vjeçare.

"Kontrolli çdo dy vjet ka përfitimet më të shumta përsa i përket pakësimit të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit ndërsa ul dëmtimin prej rezatimit".

Dr. Susan Love është specialiste për kancerin e gjirit.

Specialistët janë të ndarë kur flitet për rregulloren e re e cila rekomandon gjithashtu që mjekët të ndalin udhëzimet sesi gratë të vetë ekzaminohen.

Përsa i përket mamogramës doktoresha Marissa Weiss thotë se ajo do të vazhdojë t'u kërkojë pacientëve të saj ta bëjnë çdo vit duke filluar nga 40 vjeç.

"Realiteti është se kanceri i gjirit është forma më e zakonshme që prek gratë. Dhe mamografia është e vetmja analizë që është vërtetuar se shpëton jetë. Besoj se rregullat e reja nuk janë përmirësime por neglizhime".

Por doktoresha Love thotë se mamogramet nuk kanë zbuluar asnjëherë kancerin e gjirit në një numër të madh tek gratë nën moshën 50 vjeçare."Nuk duhet të përdorim një analizë që nuk funksionon dhe ka rreziqe por të gjejmë diçka që funksionon vërtetë apo të gjejmë shkakun e kancerit të gjirit dhe ta ndalojmë atë".

Grupe si Shoqata Amerikane e Kancerit nuk janë dakort me rregulloren e re. Shoqata thotë se mori në shqyrtim të njëjtat statistika që pa edhe task-forca si dhe të tjera të dhëna dhe do të vazhdojë të rekomandojë mamografi për gratë duke filluar nga 40 vjeç.

Shoqata Amerikane e Kancerit dhe grupe të tjera përkrahëse thonë se janë të shqetësuar se në Shtetet e Bashkuara të paktën, kompanitë e sigurimeve do të ndalin pagesat për mamogramet për gratë nën moshën 50 vjeçare.//rd//

XS
SM
MD
LG