Lidhje

Kosovë: Krizë në koalicionin qeverisës PDK-LDK


Vihet ne dyshim koalicioni qeverisës në Kosovë. Partia më e madhe e këtij koalicioni, Partia Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar, siç thuhet, rishqyrtimin e vazhdimit të mëtejshëm të qeverisjes së përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa kjo e fundit thotë se është njoftuar befasisht nga partneri i saj për ndryshimin e mundshëm të qeverisjes në vend.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike tha se kjo çështje është shqyrtuar në një takim të kësaj partie, ku është konstatuar se, sic thotë ai, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkelur marrëveshjen që secila parti të dalë e vetme në zgjedhjet lokale.

“Dhe pas këtyre kemi vendosur që të rishqyrtojmë ose të ri formatizojmë koalicionin qeverisës në nivel qendror. Ky takim për sonte ka mbaruar dhe nesër do të vazhdojmë edhe takimet konsultative dhe do të merret vendimi definitiv”, tha zoti Kuqi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramë Manaj, tha se për këtë vendim të partnerit të koalicionit është njoftuar shkurt nëpërmjet telefonit nga kolegu i tij Hajredin Kuqi...

”Zëvendëskryeministri Kuqi më mori në telefon dhe ma tha një fjali të vetme Kemi bërë koalicion me LDD-AKR, kaq. Të lutem e njofton Presidentin. Asgjë më shumë. Fillimisht unë mendoja se është fjala për koalicionin nëpër komuna, por në të vërtetë duket që Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë këtë vendim me strukturat e tyre dhe mbetet për të parë se çfarë më tej", tha zoti Manaj.

Por, as Aleanca Kosova e Re, që drejtohet nga Behxhet Pacolli e as Lidhja Demokratike e Dardanisë, që drejtohet nga Nexhat Daci, nuk kanë konfirmuar të kenë biseduar për këtë çështje me strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës. Vonë pas mesnate, zoti Pacolli ka pohuar të ketë pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, por mohoi të ketë ndonjë marrëveshje për këtë çështje.

Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për rishqyrtimin e koalicionit qeverisës pasoi marrëveshjet ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në disa komuna të vendit, për bashkëpunim në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal, aty ku të dy partnerët e koalicionit konkurrojnë me njëri tjetrin.

Mundësitë për lëkundje në koalicionin qeverisës janë diskutuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 15 nëntorit, e cila është përshkuar nga një gjuhë e ashpër ndërmjet partnerëve të koalicionit. Por, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës dy ditë më parë, Kryeministri Hashim Thaçi e kishte mohuar një mundësi të tillë.

“Koalicioni vetëm sa është fuqizuar dhe konsoliduar dhe do të vazhdojmë me prioritetin numër një, tani e tutje, me prioritetin e integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO dhe reformat e domosdoshme në të gjitha drejtimet, qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë”.

Hashim Thaçi u bë kryeministër i vendit pas zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të vitit 2007, kur partia e tij doli e para, duke lënë në vendin e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në janar të vitit 2008, dy partitë më të mëdha, rivale të vjetra, arritën marrëveshjen e koalicionit. Një muaj më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 63 vende të botës, ndërsa kundërshtohet ashpër nga Serbia, e cila ka kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jap një opinion mbi ligjshmërinë e saj. Procesi në këtë gjykatë pritet të fillojë më 1 dhjetor. //bsa//

XS
SM
MD
LG