Lidhje

SHBA, thirrje për maturi në përqasjen afgane për ripajtim me Talebanin


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për besidime të mundshme të paqes mes elementëve të fraksioneve kundërshtare në Afganistan. Zonja Klinton foli dje para një takimi tjetër të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë për luftën në Afganistan.

Administrata Obama po u jep një miratim të rezervuar kontakteve të mundshme mes qeverisë afgane dhe Talebanit.

Një zëdhënës i presidentit Hamid Karzai tha të djelën se udhëheqësi afgan mund të ftojë elementë të Talebanit dhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë në një takim të këshillit të lartë, Loja Jirga, duke synuar të sjellë paqe dhe ribashkim në vendin e shkatërruar nga lufta.

Zonja Klinton diskutoi luftën në Afganistan gjatë një konference shtypi me ministren e jashtme bullgare Rumiana Zheleva. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin konceptin e kontakteve me Talebanin, por theksoi se autoritetet e Kabulit duhet të veprojnë me kujdes.

"Kemi bërë thirrje për maturi dhe standarte që duhet të plotësohen nga të gjithë ata që janë të përfshirë në këto bisedime në mënyrë që çfarëdo procesi që të vendoset të sjellë qëndrueshmëri dhe paqe në Afganistan dhe jo ta minojë atë".

Në një konferencë tjetër shtypi në Uashington, Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Richard Holbrooke tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur kontakt të drejtpërdrejt me Talebanin por mbështesin përpjekjet saudite për të ndërmjetësuar vendosjen e paqes mes palëve në Afganistan.

Zoti Holbrooke shoqëroi sekretaren Klinton në turneun e saj javën e kaluar në Afganistan për ceremoninë e inagurimit të zotit Karzai për një mandat të dytë. Ai tha se pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për t'u përballur me përkrahësit e Talebanit mbeten të njëjta me atë që sekretarja Klinton parashtroi në fjalimin e politikës së jashtme në korrik.

"Pika e parë që përmendi sekretarja Klinton ishte mohimi i Al-Kaidës. Të kujtojmë dhe të mos harrojmë. Ne jemi në Afganistan për shkak të 11 shtatorit. Dhe gjëja tjetër është dënimi i dhunës, dorëzimi i armëve dhe pjesmarrja në jetën e vendit në mënyrë paqësore. Në fakt, shumë talebanë e kanë bërë këtë që nga viti 2002".

Takimi me dyer të mbyllura mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë ishte i nënti që zhvillohet me zyrtarë të lartë të administratës gjatë studimit disa javor të situatës nga presidenti Obama për të përcaktuar dërgimin e mijëra trupave shtesë në Afganistan.

Zgjatja e shqyrtimit të strategjisë ka sjellë kritika nga republikanët dhe të tjerë që e shohin këtë si një reflektim të mos marrjes së vendimeve në nivel të lartë.

Megjithatë, zoti Holbrooke tha se vëmendja që po i kushtohet kësaj çështje duhet vlerësuar dhe jo kritikuar.

"Ky është procesi më i studiuar, më i qendrueshëm dhe më i menduar që kam parë. Përgjatë këtij procesi, të gjithë kemi mësuar shumë nga njëri tjetri, dhe mendoj se kjo është mënyra e duhur për të marrë vendime".

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha dje se presidenti mund të njoftojë vendimin e tij për nivelin e trupave, ndoshta që javën e ardhshme, por nuk dha më shumë hollësi. //rd//


XS
SM
MD
LG