Lidhje

Bien rastet e gripit A-H1N1; Eksperimente për rigjenerimin e dhëmbëve


Epidemia e gripit A-H1N1, i njohur edhe si gripi i derrit, duket se ka rënë. Mjekët në disa qytete po njoftojnë tani për raste më të pakta të virusit H1N1, duke bërë që disa njerëz të mendojnë se sezoni i këtij gripi e ka kaluar kulmin.

Në kulmin e gripit A-H1N1 pati aq shumë raste të tij sa që këtij spitali fëmijësh në Teksas iu desh të ngrinte çadra për pacientët.

Pas dy muajsh, çadrat u ulën ashtu siç u ul edhe numri i njerzve të sëmurë.

Spitalet në shumë qytete në mbarë Shtetet e Bashkuara njoftojnë për një rënie të ngjashme të rasteve me grip H1N1. Ka rënë gjithashtu numri i shkollave të mbyllura.

“Mendoj se kjo rënie ka të bëjë edhe me imunitetin e krijuar ndaj virusit. Në kulmin e tij, rreth 22 milion njerëz kishin pasur kontakt në një mënyrë apo një tjetër me këtë virus”, thotë Dr. Paskal Imperato, ekspert i gripit.

Zyrtarët në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se virusi H1N1 është ende i përhapur, megjithëse e ardhmja e tij është e parashikueshme.

Por shkencëtarët në Norvegji thonë se kanë gjetur një formë të re të virusit H1N1 në 3 pacientë të tyre, dy prej të cilëve vdiqën. Ky lloj virusi ka shkaktuar një grim më të rëndë, por zyrtarët e shëndetsisë nuk presin që kjo formë e re të përhapet.

Zyrtarët në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se njerëzit e paprekur nga virusi H1N1 duhet të vaksinohet. Ata thonë se megjithëse numri i raste me këtë grip po bin në Shtetet e Bashkuara, një numër i madh njerzish vazhdojnë të preken nga ky grip në pjesë të tjera të vendit.

Dhe me fillimin e sezonit të festave të fund vitit, mjekët thonë se mund të përballemi me një valë të re të gripit A-H1N1 kur njerëzit të fillojnë të udhëtojnë.

Eksperimente me minjtë për mundësinë e rigjenerimit të dhëmbëve

Ndërkohë një profesor në Universitetin e Shkencave në Tokio, është në krye të një projekti të përbashkët me një korporatë të teknologjive organike, dhe kanë arritur që përmes indeve bio-inxhinjerike të mbjellin dhe rrisin një dhemb në nofullën e miut.

Ekipi i profesor Takashi Tsujit në Universitetin e Shkencave në Tokio, ka arritur që me metodologjinë bio-inxhinjerike të të ashtuquajturit “dhëmbi farë”, nga qelizat embrionale të miut, të rrisë një dhemb normal.

Në një eksperiment të njoftuar në muajin gusht, dhëmbi origjinal i miut ishte hequr dhe ai u zëvendësua me një dhëmb farë të krijuar nga indet embrionale të një miu tjetër.

Pas rreth 50 ditësh, dhembi i transplantuar u zhvillua në një dhëmb 1 milimetërsh me të njëjtën madhësi dhe formë si dhëmbi origjinal.

Niveli i zhvillimit ishte i njëjtë me atë të dhëmbit natyral. Pas eksperimenteve të mëtejshme, profesor Tsuji thotë se dhëmbët e rigjeneruar funksionojnë si dhëmbët natyralë.

Pra suksesi i këtij eksperimenti flet për efektshmërinë e përdorimit të kësaj metodologjie në rigjenerimin e organeve të tjera. Megjithatë profesori thotë se kjo teknologji u eksperimentua vetëm në pajisje laboratorike ose me pjesë të truput më pak komplekse.

Por një ekspert i teorisë së rigjenerimit të dhëmbëve, Isao Ishikava, profesor i ftuar në Universitetin e Mjeksisë së Tokios, thotë se duhet pasur kujdes në përdorimin e së njëjtës metodë tek njerëzit.

Eksperimenti i profesor Tsujit tek minjtë ishte i suksesshëm pjesërisht sepse minjtë janë gjenetikisht identikë, pra indi i krijuar tek një mi transplantohet pa probleme tek një mi tjetër.
Por njerëzit nuk janë gjenetikisht të njëjtë, prandaj transplantimi i një qelize embrionale nga një njeri tek tjetri nuk është diçka e mundshme.

Zoti Ishikava përshëndet punën e profesor Tsujit, por e shikon me dyshim mundësinë e rigjenerimit të dhëmbëve tek njerëzit në të ardhmen e afërt. Këtë e pranon edhe vetë profesor Tsuji.

Për krijimin e organeve të rigjeneruara nëpërmjet qelizave bio-inxhinjerike duhen rreth 5 vjet e megjithatë nuk ekziston një sistem për krijimin e organeve më të mëdha si veshkat dhe mëlçia. (ze)

XS
SM
MD
LG