Lidhje

Qëllohet me armë zjarri Kuvendi i Komunës së Gjakovës


Policia e Kosovës bëri të ditur se ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Gjakovës është qëlluar më armë zjarri, por sulmi ka kaluar pa pasoja në njerëz.

Policia tha se punonjësit e sigurimit të ndërtesës kanë njoftuar se pas mesnatës, persona të pa njohur kanë shtënë me armë zjarri mbi ndërtesë me armë automatike, që besohet të jetë e tipit AK-47. Policia, tha se nga të shtënat janë dëmtuar 4 dritare, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja plumbash.

Autoritetet e policisë thanë se është ende herët të thuhet çfarëdo qoftë për autorët, apo motivet e mundshme të këtij sulmi, i cili u cilësua si "shkaktues i rrezikut të përgjithshëm". Gjakova u përshkrua se ka patur tensione pas raundit të parë të zgjedhjeve për pushtetin komunal që u mbajtën më 15 nëntor.

Rezultatet paraprake e nxorën kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës fitues të zgjedhjeve, por rezultatet u kontestuan nga koalicioni ndërmjet Aleancës Kosova e Re dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Zgjedhjet e 15 nëntorit, të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë vlerësuar përgjithësisht si të qeta dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare. Raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve pritet të mbahet më 13 dhjetor.

XS
SM
MD
LG