Lidhje

Strategjia e re amerikane në Afganistan do të njoftohet të martën


Presidenti Barak Obama do të bëjë të njohur strategjinë e tij të re për Afganistanin ditën e martë. Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti do ta bëjë njoftimin në një fjalim që do të mbajë në mbrëmje në Akademinë ushtarake të West Point-it, pranë Nju Jorkut.

Sipas njoftimeve, Presidenti ka mundësi të mbështesë planin për dërgimin e 30 mijë deri 35 mijë trupave shtesë në vend.

Komandanti më i lartë amerikan dhe i NATO-s në Afganistan, gjenerali Stenli Mekkristëll, në fillim të vitit i tha presidentit se nevojiten deri në 40 mijë trupa për të luftuar talebanët dhe militantët e Al Kaidës në rajon.

Që nga ajo kohë, Presidenti Obama është takuar me këshilltarët e tij për të shqyrtuar strategjinë amerikane në rajon. Të martën zoti Obama tha se synon "t'i japë fund" luftës në Afganistan.

Sekretari i shtypit të Pentagonit, Geoff Morrel, nuk pranoi të spekulonte nëse presidenti Obama do të urdhëronte shtimin e trupave apo jo kur ai të njoftonte strategjinë e rishikuar mbi Afganistanin, dekleratë që pritet të bëhet javën që vjen. Por Morrel u tha gazetarëve të martën se nëse është nevoja e shtimit të trupave të huaja në Afganistan, ato nuk do të jenë të gjitha amerikane.

“Nëse është e nevojshme që të shtohen trupat, presim që edhe aleatët të bëjnë të njëjtën gjë. Jam i sigurtë që do zhvillohen bisedime me aleatët lidhur me trupat dhe kohën.”

Komandanti amerikan dhe i Natos në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal ka thënë se duhen më shumë trupa ose përkundrazi përpjkejet e aleancës mund të përballen me deshtim si rezultat i rigjallërimit të Talebanëve. Ky vlerësim dhe një kërkesë sekrete për trupa, çuan në rishikimin e strategjisë të udhëhequr nga presidenti Obama në muajt e fundit, për të cilën thotë se do të ketë një vendim shumë shpejt.

Ministrat e Jashtëm të Natos do të takohen në Bruksel të enjten dhe të premten e ardhëshme dhe Afganistani do të jetë ndër çështjet kryesore të bisedimeve. Por zëdhënësi i Pentagonit thotë se edhe nëse vendimi i presidentit bëhet i ditur deri atëherë, ai nuk pret që aleatët e Natos të njoftojnë menjëherë planet e tyre për trupat.

“Nuk besoj se pritet që disa vende të ngrihen dhe të deklarojnë synimet e tyre për të shtuar një numër të madh forcash menjëherë. Mendoj se do të duhen disa javë që të realizohet kjo."

Zedhënësi i Pentagonit thotë se edhe pse aleatët janë konsultuar gjatë rishikimit të strategjisë, ata nuk do të mësojnë vendimin e presidentit derisa të njoftohet, dhe do të duhet kohë që të analizohen nderlikimet që sjell. Ai gjithashtu thekson se disa vende evropiane kërkojnë mbajtjen e një konference për Afganistanin, ndoshta në janar dhe ai thotë se shumë vende mund të presin deri atëherë për të njoftuar vendimin për ndonjë dislokim trupash.

Zedhënsi pohon se vendet e Natos e kanë rritur numrin e trupave në Afganistan gjatë viteve të fundit dhe zyrtarët e lartë amerikanë thonë se ata e pranojnë se ndrydhjet politike mund të sjellin veshtirësi në dislokimin e mëtejshëm të trupave për disa qeveri evropiane. //kh//

XS
SM
MD
LG