Lidhje

Evropa, reagim për pjesmarrjen e Obamës në Kopenhagë


Reagimi evropian ishte përgjithësisht pozitiv ndaj njoftimit të presidentit Barak Obama për të marrë pjesë në bisedimet e dhjetorit mbi ndryshimin e klimës në Kopenhagë dhe ndaj objektivave të përkohshme të Uashingtonit për të reduktuar çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë.

Udhëheqësit evropianë dhe ambjentalistët e përshëndetën lajmin e mirë mbi vendimin e presidentit Obama për të marrë pjesë të paktën pjesërisht në takimin e muajit të ardhshëm për klimën në Kopenhagë. Si Suedia, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ashtu edhe Danimarka, e cila organizon bisedimet mbi klimën, thanë se prania e presidentit amerikan do të rriste shpresat për konferencën.

Bashkimi Evropian është në krye të fushatës globale për reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë. Ai ka premtuar të reduktojë çlirimin e gazeve të dëmshme me 20 përqind të nivelit të vitit 1990 deri në vitin 2020. BE-ja thotë se deri në të njëjtin vit, 20 përqind e energjisë së saj do të vijë nga burime të ripërtëritshme.

Administrata e presidentit Obama ka premtuar një objektiv të përkohshëm për reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë me 17 përqind të nivelit të 2005-ës deri në vitin 2020, me synimin për reduktime më të thella që do të pasojnë. Premtimi fillestar është shumë më pak ambicioz se sa ai evropian. Por plani i zotit Obama ka mbetur deri diku pezull nga fakti se kongresi amerikan ende duhet të miratojë legjislacionin për klimën.

Megjithëse ministri francez i Mjedisit Zhan Lui Borlo e quajti qëndrimin amerikan shumë inkurajues, disa politikanë të tjerë evropianë i kanë bërë thirrje Uashingtonit të kërkojë reduktime më të mëdha të gazeve të dëmshme.

Disa madje shprehën edhe zhgënjim për faktin që zoti Obama nuk kishte planifikuar të merrte pjesë në takimin e Kopenhagës ku pritet të zhvillohen edhe negociatat më të rrepta. Zoti Obama pritet të arrijë në Kopenhagë me 9 dhjetor, dy ditë pas fillimit të takimit. Joris den Blanken është drejtor i politikave evropiane për klimën në organizatën Greenpeace International.

“Mendoj se është shumë pozitive që zoti Obama njoftoi pjesëmarrjen e tij në Kopenhagë, por në fakt ai po vjen në ditën e gabuar. Pjesa më e rëndësishme e takimit do të jetë me 16 dhe 17 dhjetor. Ai është momenti kur zoti Obama mund të zhvillojë negociata me udhëheqësit evropianë si me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Nikola Sarkozi, kryeministrin suedez Rainfeld etj. Ajo do të ishte dita e duhur.”

Dje Kina njoftoi planin e saj të parë të hollësishëm për reduktimin e dioksidit të karbonit që çlirohet nga ai vend. Këshilli Shtetëror tha se vendi do ta reduktojë intensitetin e karbonit me 40 deri në 45 përqind deri në vitin 2020, në krahasim me nivelin e vitit 2005. Kina tha se objektivi ishte veprim vullnetar dhe tha se do të jepte një kontribut të madh në përpjekjet globale mbi ndryshimin e klimës. //bsa//

XS
SM
MD
LG