Lidhje

Rezoluta e agjencisë bërthamore të OKB-së tregon mosbesim ndaj Iranit


Shtetet e Bashkuara thonë se votimi i djeshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike për të censuruar Iranin tregon rritjen e mungesës së mosbesimit ndaj pretendimit të Teheranit se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore. Shtëpia e Bardhë thotë se koha e diplomacisë po kalon për programin bërthamor të Iranit.

Administrata e presidentit Obama ka punuar intensivisht prapa skenave për të përgatitur një përgjigje ndaj mungesës së bashkëpunimit nga Iraniu për çështjen bërthamore. Ajo thotë se votimi i djeshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, i cili mori mbështetjen e fuqive të mëdha botërore, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën, tregon nevojën urgjente që Irani të trajtojë problemin e rritjes së mosbesimit ndaj synimeve të tij bërthamore.

Bordi i agjencisë mbikqyrëse bërthamore të OKB-së votoi 25 me 3 dhe gjashtë abstenime në Vienë për të censuruar Iranin për fshehjen deri kohët e fundit të ekzistencës së një uzine nën tokë për pasurimin e uraniumit pranë qytetit Kom.

Masa, e cila është e para e këtij lloji në katër vjet kundër Iranit, pasqyroi rritjen ndërkombëtare të padurimit ndaj refuzimit të Iranit për të pranuar planin që dukej sikur do ta pranonte deri para dy muajsh dhe i cili do të zbuste dyshimet mbi programin e tij bërthamor.

Sipas propozimit të shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Muhamed El baradei, Irani do ta dërgonte jashtë vendit shumicën e uraniumit të tij të pasuruar që ka mbledhur në këmbim të karburantit të pasuruar për reaktorin studimor mjekësor në Teheran.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë tha se votimi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tregon vendosmërinë dhe bashkimin e komunitetit botëror në lidhje me programin bërthamor të Iranit, dhe konsensusin e gjerë për t’i bërë thirrje Teheranit t’u përmbahet detyrimeve ndërkombëtare dhe për të ofruar transparencë në veprimtaritë e tij.

Deklarata thoshte se Shtetet e Bashkuara ende duan një zgjidhje diplomatike të problemit, por se koha dhe durimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit po përfundon, një shqetësim i ngritur edhe nga ambasadori amerikan në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Glin Dejvis gjatë komenteve të tij në Vienë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj zgjidhjes paqësore të shqetësimeve ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit. Ne gjithashtu vazhdojmë të kemi vullnetin të angazhojmë Iranin dhe të punojmë drejt një zgjidhjeje diplomatike të dilemës bërthamore që ky vend ka krijuar, nëse Irani do ta zgjedhë këtë rrugë. Por durimi ynë dhe i komunitetit ndërkombëtar ka kufi.”

Shtëpia e Bardhë tha se nëse Irani refuzon të përmbushë detyrimet e veta, ai do të jetë përgjegjës për izolimin e tij dhe pasojat që do të vijnë.”

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i cili foli me gazetarët tha se votimi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike përforcon mesazhin se fuqitë e mëdha janë të përkushtuara të krijojnë, siç tha ai, një paketë pasojash, pra sanksionesh apo masash ndëshkimore, nëse nuk do të gjejnë një partner bashkëpunues tek Teherani.

Megjithatë ai nuk tha nëse Rusia dhe Kina, të cilat i kanë bllokuar përpjekjet e mëparshme për ta izoluar Iranin do të binin dakort me sanksionet e OKB-së. Por ai tha se të dy këto vende janë të përkushtuara ndaj strategjisë me dy kahje për stimuj nëse Irani bashkëpunon dhe për dënime nëse ai nuk bashkëpunon.

Zyrtari i lartë tha se të dy këto fuqi kanë luajtur një rol shumë të dobishëm në bindjen e anëtarëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në mbështetje të rezolutës, dhe Kina kishte sugjeruar disa gjëra që u përfshinë në projekt-rezolutën përfundimtare.

Ai tha gjithashtu se presidenti Obama vazhdon ta ruajë afatin e fundvitit për të vendosur nëse diplomacia me Iranin është e mundur, duke thënë se ndërkohë që afrohet fundi i vitit, disa vendimet duhet të merren.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara ishin dakort me komentin e shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike El Baradei të bërë të enjten se përpjekjet për çështjen bërthamore të Iranit kanë arritur në fundit e një rruge pa krye, zyrtari i lartë tha se administrata amerikane ka shumë respekt për mendimet e tij, dhe se drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie kishte shprehur qartë qëndrimin tonë dhe shqetësimet që ndajmë të gjithë ne. //bsa//

XS
SM
MD
LG