Lidhje

Shumë ferma amerikane po zgjedhin bujqësinë organike


Të korrat e drithërave këtë vit në Shtetet e Bashkuara arritën nivele rekord. Fermerët amerikanë mbjellin varietete që janë gjenetikisht të modifikuara. Por paralelisht me këtë prirje ekziston edhe një prirje tjetër në përmasa më të vogla. Shumë ferma amerikane po braktisin prodhimet e ndryshuara gjenetikisht dhe po zgjedhin bujqësinë organike. Me thirrjet e ekspertëve që kërkojnë qasje të ndryshme për të përmbushur kërkesat në rritje për ushqim, materiali në vazhdim i hedh një vështrim dy prirjeve të bujqësisë amerikane.

Ky është krimbi i misrit. Nevoja për të shmangur infektimin e mistrit me këtë dhe insekte të tjerë është shkaku kryesor që fermeri Jay Handley në Champlain të Virxhinias mbjell misër gjenetikisht të modifikuar.

“Kemi pare avantazhe me këtë varietet. Krimbat janë problem. Me këto variete as që nuk i sheh parazitët në fusha.”

Hundley rrit gjithashtu sojë gjenetikisht të modifikuar. Ato janë krijuar në mënyrë që t’u rezistojnë pesticideve, sidomos produktit Roundup që zhduk barërat e këqija.

Roundup vret gati të gjitha barrërat që fermerët duhet të heqin zakonisht. Hundley thotë se grosha e sojës që nuk dëmtohet nga herbicidi i jep atij më fleksibilitet kur spërkat fushën e tij. Fermeri është i kënaqur.

“Të kursen kohë. Nuk na duhet të dalim në fushë sot. Mund të presim deri nesër.”


Farërat OMGJ kushtojnë më shumë. Dhe kontrata e tij me kompaninë e farërave nuk e lë atë të përdorë farën që i ka mbetur për ta mbjellë vitin e ardhshëm. Por ai thotë se përfitimet janë më të mëdha sesa kostot.

Fermerët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë arritur në të njëjtin përfundim. Këtë vit, 85 përqind e misrit dhe 91 përqind e groshës së sojës të kultivuara në Shtetet e Bashkuara ishin gjenetikisht të modifikuara. Asnjë vend tjetër nuk mbjell këtë sasi.

Por ndërsa shumica e misrit, groshës së sojës dhe pambukut në Shtetet e Bashkuara janë gjenetikisht të modifikuara, një numër i vogël fermerësh po shkojnë në një drejtim tjetër.

Rreth 200 kilomentra në veri, në Adamstown të shtetit Meriland, Nick Maravell ka mbjellë gjithashtu misër dhe groshë soje. Por ai nuk ka përdorur fara të modifikuara.

“Ne mundohemi të inkurajojmë gjëra që ndodhin në mënyrë të natyrshme.”

Maravell përfaqëson një grup gjithnjë e më të madh fermerësh të bujqësisë organike – të cilët nuk përdorin kimikate apo insecticide. Fushat organike zënë një fraksion të vogël në sipërfaqen e mblellë në Shtetet e Bashkuara – vetëm 0 presje 5 përqind në vitin 2005 sipas Departamentit të Bujqësisë. Por kjo shifër është dyfishuar që nga viti 1997.

Pjesë e arsyes që fermeri Maravell nuk kultivon drithëra të modifikuar është pasi është i shqetësuar për pasojat e padëshirueshme.

“Organizmat e modifikuara gjenetikisht kur futen në ciklin e prodhimit mund të nxjerrin tipare të papritura. Ata mund të riprodhohen dhe të shtohen apo të kryqëzohen me specie të tjera. Nuk mendoj se jemi aq mjeshtra për të parashikuar pasojat.”

Drithërat e modifikuar janë aprovuar për kultivim në Shtetet e Bashkuara. Pjesa më e madhe e Evropës vazhdon të kundërshtojë, por organi rregulator i sigurisë së ushqimeve në Evropë kohët e fundit tha se varietetet e tanishme nuk ka të ngjarë të dëmtojnë shëndetin apo ambjentin.

Por fermeri Maravell thotë se një shkak tjetër që ai nuk kultivon drithëra të modifikuara është pasi nuk i nevojiten për të marrë rendiment të lartë.

“Si një fermë organike, ne përfaqësojmë një alternativë. Siç e shihni ne prodhojmë këtu drithëra. Nuk na kanë mbytur insektet, sëmundjet apo barërat. Bëjmë edhe pa farërat e modifikuara.”

Në një vit të mirë, Maravell pranon se nuk prodhon aq sa fqinji i tij që përdor kimikate dhe farëra gjenetikisht të modifikuara. Por në një vit të thatë ai thotë se ai prodhon më shumë.

Dhe produktet organike kanë çmim më të lartë që ndihmon në fitimet.

Me nevojën për të mbrojtur ambjentin dhe për ta ushqyer popullatën e planetit që rritet vazhdimisht, shumë ekspertë parashikojnë se fermerët do të mbështeten në të dyja tendencat e bujqësisë për të përmbushur kërkesat. //ii

XS
SM
MD
LG