Lidhje

SIDA dhe ecuria në kurimin e saj


Ka mëse tre dekada qëkurse virusi HIV u shfaq si një kërcënim për shëndetin botëror. Ndonëse programi i Kombeve të Bashkuara për SIDA-n njofton një rënie të përqindjes të infeksionit të ri, numri i njerëzve që jetojnë me këtë virus është shtuar me më shumë se33 milionë, ndërkohë që është shtuar mjekimi anti retroviral. Por le t’i hedhim një vështrim çështjes se ku kanë qenë dhe se ku janë përparësitë në mjekimin e SIDA-s.

Më shumë se 25 milion njerëz kanë vdekur që kur virusi AIDS u kthye në pandemi në vitin 1980. Shifrat në vendet në zhvillim mbeten goditëse. 9% e njerëzve të infektuar jetojnë në vendet me të ardhura mesatare apo të ulta.

“Kam shumë frikë se mos vdes nga kjo sëmundje. Kush do të kujdeset për fëmijët e mij pastaj?”, thotë një nga viktimat e kësaj sëmundjeje.

Por edhe sukseset nuk kanë munguar. Kostoja e trajtimit anti retroviral ka rënë ndjeshëm në dhjetvjeçarin e fundit. Në vendet ku është domosdoshmëri prania e saj, ka dhe më shumë kërkesa për mjekime.

“Në se shihni përqindjen e njerëzve në terapi, ne e nisëm me dhjetra mijëra disa vjet më parë. Tani ka rreth 4 milion njerëz që i janë nënshtruar terapisë në vendet në zhvillim”, thotë kreu i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve infektive, Dr. Anthoni Fauçi është një zë i rëndësishsëm për çështjen e SIDA-s.

Ai thotë se pavarësisht sukseseve në betejën me sëmundjen, mjekët dhe shkencëtarët po punojnë shumë për atë që e quajnë “ strategji e ndryshimit” e cila do të zvogëlojë mjaft numrin e rasteve me SIDA në botë. Në krye të listës është ky synim: një vaksinë për SIDA-n.

“Çdo program parandalues duhet të synojë për një vaksinë efektive dhe të sigurt”, thotë doktor Fauçi.

Në vitin 2009, fushata më e gjerë e vaksinimit përfshiu rreth 16 mijë vullnetarë në Tailandë. Tanad Yomaha ishte një prej tyre.

“ E bëra për të tjerët, për brezin e ardhshëm”.

Studiuesit thonë se vaksina e frenon paksa rrezikun e infeksionit me virusin HIV por me një diferencë domethënëse, sepse krijon një rreze shprese.

“Ishte diçka mbi të cilën mund të mbështetemi për të prodhuar vaksina më të mira, për të realizuar synimin që të kemi një ndikim domethënës në parandalimin e infeksionit”, thotë Dr.Fauçi.

Shkencëtarët po punojnë gjithashtu me kremrat mikrobicide të cilat kur aplikohen, mund të pengojnë transmetimin e HIV. Kjo mund t’i ndihmojë gratë për t’u mbrojtur nga partnerët e infektuar.

Mjekët po testojnë gjithashtu edhe të quajturën propolaktiks, mjekimet për të frenuar infeksionin. Trajtimi është përdorur me sukses për malarian.

“Nëse njerëzve të grupeve me rrezik të lartë u ulet ndjeshëm përqindja e infeksionit prej përdorimit të trajtimeve parandaluese, dhe ata trajtohen përpara se të infektohen, ky është një koncept i shkëlqyer”.

Sfidat madhore ende mbeten në hije në luftën kundër SIDA-s. Në një recesion global ku GPD-ja e vendeve vazhdon të bierë, fondet janë një çështje e rëndësishme. Robert Hetch është ekspert për financimin e trajtimit të SIDA-s.

“Ne kemi nevojë të përqëndrohemi në masa më të zgjeruara e të sofistikuara për parandalimin e infeksionit”.

Hecht thotë se të gjitha vendet e prekura nga kriza e SIDA-s duhet të punojnë për koston e kujdesit ndaj saj në planet e sigurimeve shëndetësore kombëtare. Ajo është një sëmundje kronike, thotë ai, dhe me siguri që do të jetojmë me të edhe në dekadat e ardhshme. //kk//


XS
SM
MD
LG