Lidhje

Presidenti Obama i drejtohet sot vendit, shpalos strategjinë për Afganistanin


Sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, thotë se presidenti Obama ka informuar mbrëmjen e së dielës grupin e tij të sigurisë kombëtare rreth vendimit që ai ka marrë mbi strategjinë e luftës në Afganistan dhe se ka lëshuar urdhërat për zbatimin e tij.

Që nga marrja e vendimit, presidenti ka zhvilluar një seri telefonatash me aleatët e Shteteve të Bashkuara, proces i cili do të vazhdojë edhe sot derisa zoti Obama të paraqesë publikisht strategjinë e tij të rishikuar mbi Afganistanin gjatë një fjalimi në Akademinë Ushtarake Amerikane, West Point.

Sekretari i shtypit, Gibs nuk pranoi të futej në detaje rreth strategjisë, për të cilën administrata ka punuar prej disa muajsh, pavarësisht përkeqësimit të sigurisë në Afganistan, zgjedhjeve presidenciale të debatuara dhe kur anketat e opinionit publik tregojnë rënie të mbështetjes amerikane për luftën tetë vjeçare.

Por në prag të njoftimit të pritur për sot të presidentit Obama rreth strategjisë ku mund të përfshihen edhe shtimi i forcave me rreth disa dhjetëra mijë, zëdhënësi Gibs theksoi se angazhimi ushtarak amerikan në Afganistan nuk është i pakufizuar.

“Nuk do të jemi atje pafundësisht. Dhe nuk kemi burime, forca dhe buxhet, që të mbajmë përgjegjësinë kryesore për sigurinë në Afganistan. Afganistani duhet të jenë vetë përgjegjës për sigurinë.”

Gibs tha se synim madhor do të jetë trajnimi i forcave afgane në menyrë që ato të marrin nën kontroll zonat e kontrolluara nga trupat e huaja. Që plani të ketë sukses, theksoi sekretari i shtypit të Shtepisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një partner të besueshëm në Kabul.

“Është koha për një kapitull të ri në marrëdhëniet tona kur flitet korrupsionin, përmirësimin e qeverisjes në mënyrë që të trajtohet situata e sigurisë.”

Zëdhënësi Gibs tha se presidenti amerikan Barak Obama gjatë fjalimit që do të zhvillojë sot mes të tjerash do të përmend edhe koston e planit të ri për Afganistanin, por nuk duket se do të shtjellojë detaje nga plani.

Gibs theksoi se ndikimi financuar ka qënë gjithashtu ndër çështjet kryesore të shqyrtimit nga ana e administratës së strategjisë në Afganistan. Ai nuk pranoi të komentonte nëse presidenti Obama do të marrë nën konsidertata një propozim nga ligjvenësit demokratë në Kongres për një taksë speciale për luftën për të mbuluar shpenzimet për një mision të zgjeruar amerikan në Afganistan.

Disa ligjvënës demokratë kanë shprehur shqetsimin se shtimi i shpenzimeve të luftës mund të gllabërojë fondet e buxhetit federal tashmë të pushtuar nga huatë, fonde të cilat mund të përdoreshin për përparësitë brenda vendit. Sipas parashikimeve, shtimi i forcave në Afganistan me rreth 30 deri 35 mijë trupa, i cili pritet të njoftohet sot nga presidenti Obama, do t’i kushtojë buxhetit amerikan 75 miliard dollarë.

Zëdhënësi Gibs tha se ndërkohë që fjalimi i presidentit do të theksojë dhe kërkojë mbështetjen për strategjinë e re në Afganistan, presidenti do të theksojë edhe nevojën për forcimin e mardhënieve diplomatike me Pakistanin, vend i cili gjithashtu po kërcënohet nga militantët ekstremistë.

Presidenti Barak Obama e ka cilësuar Afganistanin si një luftë të cilën Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta humbasin. Por ai gjithashtu ka dënuar hapur atë cilën ai e shikon si kanalizim, nga ana e administratës së mëparshme, të burimeve nga Afganistani për të vazhduar luftën në Irak.

Analistët thonë se në fjalimin që do të mbajë sot presidenti drejtur vendit, zoti Obama do të theksojë se suksesi në Afganistan ende mund të arrihet, dhe se investime dhe sakrifica të mëtejshme janë të nevojshme dhe të vlefshme.

Presidenti Obama pritet ti referohet shtimit të misionit në Afganistan si një përpjekje ndërkombëtare. Britania njoftoi të henën se do të dërgojë rreth 500 trupa shtesë në Afganistan në javët që vijnë, duke çuar numrin e forcave të saj në atë vend në 10 mijë. //kh//

XS
SM
MD
LG