Lidhje

Kopenhagë: Shansi i fundit për marrëveshje mbi klimën


Ekspertët thonë se të dhënat e dekadës së parë të shekullit 21 ka të ngjarë të tregojnë kjo periudhë do të jetë më e ngrohta në histori, ndërsa viti 2009 do të jetë më i ngrohti. Organizata Botërore e Meteorologëve i njoftoi këto të dhëna sot në ditën e dytë të konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën Globale, e cila u hap dje në Kopenhagë të Danimarkës me pjesëmarrjen e mijëra delegatëve e vëzhguesve. Kjo konferencë shihet si shansi i fundit më i mirë për arritjen e një marrëveshjeje për ngrohjen globale.

Në konferencë marrin pjesë rreth 15 mijë përfaqësues nga afro 200 vende.

"Ju uroj mirëseardhjen në Kopenhagë dhe në Koferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2009”.

Kështu u hap konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike. Yvo de Boer, zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara për klimën bëri një paralajmërim.

"Koha për deklarata zyrtare ka kaluar. Koha për përsëritjen e qendrimeve të njohura po ashtu ka kaluar. Ka ardhur koha të bashkëpunojmë me njeri tjetrin. Ju bëj thirrje të çojmë më tej arritjet tuaja dhe të marrim masa bazuar në punën e bërë deri tani”.


Për të sensibilizuar opinionin, delegatëve iu shfaq një video për atë që mund t’u ndodhë brezave të ardhëshëm nëse ata nuk veprojnë tani.

Objektivi i konferencës është të arrihet në marrëveshje për pakësimin e çlirimit të dioksidit të karbonit, të mbështeten dhe të transferohen teknologji të reja më miqësore për mjedisin dhe të caktohen fonde për realizmin e saj.

Propozime për të pakësuar çlirimin e gazeve serë janë paraqitur nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Afrika e Jugut.

Udhëheqës të ndryshëm kanë bërë deklarata të forta për nevojën e një marrëveshjeje edhe pse ende ka mospërputhje pikpamjesh për kohën, mënyrat dhe sigurimin e fondeve.

Synimi i Konferencës së Kopenhagës është arritja e një marrëveshjeje të zbatueshme që të pasojë Protokollin e Tokjos të vitit 1997 për kufijtë e çlirimit të gazit karbonik.

Por shumë njerëz besojnë se platforma politike do të vendoset në Kopenhagë dhe detajet e marrëveshjes do të finalizohen më vonë, ndoshta vitin e ardhëshëm.

Kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, u kujtoi delegatëve se koha për veprim është tani.

"Ngrohja globale nuk njeh kufij, ajo nuk diskriminon, ajo na prek të gjithëve dhe ne jemi mbledhur këtu sepse jemi të angazhuar për të marrë masa”.

Delegatët kanë një javë kohë për të hartuar një plan, para se udhëheqës nga më shumë se 100 vende të shkojnë në Kopenhagë. Organizuesit e konferencës shpresojnë se ata do të kenë diçka për të nënshkruar. //ii

XS
SM
MD
LG