Lidhje

Jetëgjatësia - duhani dhe mbipesha. Barnat e diabetit dhe sëmundjet e zemrës. Kanceri dhe të mbijetuarit


http://astritlulushi.wordpress.com/

Jetëgjatësia - duhani dhe mbipesha

Për vite, jetëgjatësia në Amerikë ka ardhur duke u rritur si rrjedhojë e pakësimit të pirjes së duhanit. Por shtimi i rasteve të mbipeshës trupore ka gjasa të kërcënojë këtë përparim në fushën e jetëgjatësisë.

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, pirja e duhanit është ulur 20 për qind -- që do të thotë më pak sëmundje të zemrës, më pak raste të kancerit, dhe një jetë më të gjatë.

Por në të njëjtën kohë, rastet e mbipeshës trupore janë rritur 48 për qind, dhe sipas studimit të kryer nga ekspertë pranë universitetit të Harvardit, ky shtim i rasteve të mbipeshës, mund të ulë përfitimet e arritura si rrjedhim i pakësimit të pirjes së duhanit.

Sipas vlerësimeve shkencore, një i ri tipik 18 vjeçar do të përfitonte një shtim jetëgjatësie prej 4 muajsh nga viti 2005 deri më 2020, nëse nuk pi duhan, por do të jetonte një vit më pak nëse është mbipeshë.

Studimi parashikon se përmirësime në trajtimin mjekësor do të vazhdojnë të ndikojnë në shtimin e jetëgjatësisë, por këto përmirësimet do të ndjehen pak si pasojë e shtimit të rasteve të mbipeshës. Ekspertë të tjerë thonë se pasojat negative të mbipeshës do të ndjehen veçanërisht në cilësinë e jetesës.

Njerëzit me peshë të tepërt kanë shkallë më të lartë të aftësive të kufizuara. Ata preken më shpesh nga diabeti dhe sëmundjet e zemrës - çrregullime që i bëjnë ata të sëmuren në moshë të re dhe t'a kalojnë jetën në varësi të ilaçeve.

Kanceri dhe të mbijetuarit

Përparimet dhe mënyrat e reja në fushën e trajtimit të kancerit kanë bërë që sot gjithnjë e më shumë fëmijë t’a mbijetojnë këtë sëmundje. Por një studim i kryer nga instituti kombëtar amerikan i kancerit tregon se gjithnjë e më pak fëmijë që kanë mbijetuar kancerin, kur rriten vënë në rrezik shëndetin e tyre pasi nuk shkojnë rregullisht tek mjeku.

Për Kelli Krauel, nuk ka gjë më të mirë sesa t'a kalojë kohën me fëmijët e saj. Kur hedh vështrimin prapa në jetën, ajo thotë se sot ndjehet e bekuar. Mjekët i kishin thënë se kurrë nuk do të lindte fëmijë, pas trajtimit me kimoterapi e rreze kundër leuçemisë kur Kelly ishte 4 vjeç. Por ky ishte kanceri i parë, mes shumë të tjerëve që ajo do të mbijetonte. Pas leuçemisë, Kelli u diagnostikua me kancer në lëkurë, në teroide dhe në gji. Ajo që Kelli nuk e dinte në atë kohë ishte se trajtimet intensive kur ishte fëmijë e kishin vënë atë në rrezik më të madh ndaj kancerit në moshë të rritur. Tani në moshën 31 vjeçare, Kelli kryen rregullisht analiza të kancerit për të mbikqyrur gjendjen e saj.

Por shumë prej njerëzve që kanë kaluar kancerin kur ishin fëmijë sot nuk i bëjnë rregullisht këto kontrolle. Sipas statistikave, 90 përqind e pacientëve shmangin analizën e kolonoskopisë, 55 përqind shmangin mamografinë dhe 35 përqind nuk shkojnë tek mjeku për t’u kontrolluara për kancer në lëkurë.

Shumë prej tyre ndosha mendojnë se kanceri nuk mund të shmanget, por harrojnë se zbulimi në fazë të herëshme i kancerit dhe kujdesi paraprak, përbëjnë kufirin midis jetës dhe vdekjes.

Studimet kanë treguar se ata që kanë mbijetur kancerin kur kanë qënë fëmijë, e ndjejnë veten të lodhur nga mjediset e spitaleve që u zgjojnë kujtime të trishueshme. Kështu, ata shkëpusin lidhjet e krijuara me mjekë a klinika dhe shpesh nuk kanë dijeni rreth mënyrave të reja të trajtimit a rreziqeve.

Matheu Grasman u diagnostikua me kancer në tru para katër vjetësh. Por edhe pas trajtimit me sukses, ai shpenzon shumë kohë nëpër spitale. Eshtë një luftë që kurrë nuk mbaron , thotë Matheu. Ta kesh patur këtë sëmundje dhe të shpëtosh gjallë, shton edhe më shumë dëshirën për të jetuar. Kjo ndoshta është edhe arsyeja, që Matheu është gjithmonë i interesuar rreth përparimeve teknologjike e mjekësore në fushën e kancerit, duke mos e lënë jetën në duart e fatit.

Barnat e diabetit dhe sëmundjet e zemrës

Një studim mes pacientëve me diabet tregon se një grup ilaçesh kundër diabetit shton rrezikun e sëmundjeve në zemër. Por ekspertë të tjerë thonë se këto të dhëna janë paraprake, dhe nevojiten studime të tjera për të vërtetuar një pohim të tillë.

Studimi i ri krijon edhe paradoksin se pacientët me diabet përballen me një rrezik në rritje për sëmundje të zemrës dhe vdekje të parakohëshme për shkak të problemeve të tyre të sheqerit në gjak, nëse ilaçet për të trajtuar sëmundje të sheqerit në gjak mund të rrisin rrezikun zemër.

Aktualisht ka shumë të debate se cilat janë ilaçet më të efektshëm e më të sigurt për t’u marrë.

Studimi i ri tregon se një grup barnash, i quajtur sulphonylureas, mund të krijojë rrezik në zemër më shumë sesa llojet e tjera të ilaçeve kundër diabetit.

Studjuesit në Britani ekzaminuan më shumë se 90.000 të moshuarit me diabet. Gjatë studimit ata vunë re se pacientët që trajtoheshin me barna si Dymelor, Amaryl, ose Glynase ishin në një rrezik 60% më të madh për vdekje të parakohshme në krahasim me pacientët që kishin marrë një lloj tjetër ilaçi të quajtur Metformin.

Mbështetur në këto rezultate, disa shkencëtarë thonë se Metformin duhet të jetë ilaçi i pare rekomandues për trajtim. Por jo të gjithë ekspertët janë dakord me këtë përfundim, duke thënë se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar këto të dhëna. Ata shtojnë se pacientët nuk duhet të ndërpresin marrjen e asnjë lloj ilaçi pa u këshilluar me mjekun.

http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG