Lidhje

Obama, gati për të marrë Çmimin Nobel të Paqes


Më pak se një vit pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama përgatitet të shkojë në Norvegji për të marrë Çmimin Nobel të Paqes. Ai ka thënë se nuk është i sigurt nëse ka bërë aq sa për ta merituar një nder kaq të madh. Një anketë opinioni në Shtetet e Bashkuara tregon se me këtë është dakord edhe një shumicë e madhe amerikanësh.

Dhënia e Çmimit Nobel zotit Obama ishte e papritur për të gjithë. Madje dhe vetë presidenti u habit.

"Të them të drejtën, nuk mendoj se e meritoj të renditem krahas aq shumë presonaliteteve transformuese që e kanë marrë këtë çmim."

Një anketë e re tregon se pjesa dërrmuese e amerikanëve janë dakord me këtë.

"26% e amerikanëve mendon se ai e meriton çmimin, pra jo një përqindje shumë e madhe."

Peter Brown është drejtor i anketës së Universitetit Quinnipiac në të cilën janë pyetur 2,300 amerikanë për Çmimin Nobel. Vetëm 49% e demokratëve, thotë ai, janë dakord me çmimin.

"8% e republikanëve mendojnë se ai e meriton çmimin dhe kjo është një shifër mjaft e ulët. Interesant është gjithashtu se vetëm 19% e të pavarurve mendojnë se ai e meriton çmimin. Natyrisht, demokratët më tepër se të tjerët por përsëri as shumica e tyre nuk mendon se ai e meriton çmimin."

Këto opinione shprehen edhe mes qytetarëve të thjeshtë.

Edhe zoti Obama e pranon këtë. Ai ka thënë se ndonjëherë Nobeli nuk jepet për një arritje të caktuar për t’i dhënë shtytje çështjeve të caktuara.

"Pikërisht për këtë unë e pranoj çmimin si thirrje për veprim, si thirrje për të gjitha vendet që të mos u shmangen sfidave të përbashkëta të këtij shekulli."


Shtëpia e Bardhë thotë se fjalimi që Presidenti Barak Obama do të mbajë në Oslo do të trajtojë këto tema. Por, tha zëdhënësi Robert Gibbs, Presidenti do të flasë edhe për realitetin e të qenit një laureat i Çmimit Nobel të paqes ndërkohë që udhëheq një vend në luftë.

"Ne do të flasim direkt mbi nocionin për të cilin të gjithë bëjnë pyetje, pra për faktin se çmimi Nobel i Paqes jepet në një kohë kur Presidenti ka vendosur të shtojë më shumë trupa në Afganistan."

Lufta është një peshë në shpatullat e Obamës tani që ai hyn në radhët e njerëzve të shquar që kanë marrë këtë çmim, burra e gra si Nelson Mandela, Martin Luther King dhe Aung San Suu Kyi. Ai e di se arritjet e tij nuk mund të krahasohen me ato të tyret por ka lënë të kuptohet se ky çmim për të ka të bëjë më shumë me nocionin e shpresës. //ii

XS
SM
MD
LG