Lidhje

Vazhdon punimet konferenca për klimën në Kopenhagë


Konferenca ndërkombëtare në Kopenhagë për klimën po përpiqet t'u kujtojë njerëzve se ngrohja globale është tashmë një realitet dhe po bën thirrje për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme gjatë ditëve në vazhdim.

Problemi i ngrohjes së shpejtë të planetit është në vemendjen e konferencës.

Agjencia e OKB-së për Motin njoftoi se kjo dekadë ka të ngjarë të jetë më e ngrohta e regjistruar dhe 2009 viti i pestë më i nxehtë që nga viti 1859.

Michel Jarraud, drejtues i Organizatës Meterologjike Botërore thotë se këtë vit shumica e zonave në botë kanë qenë mbi temperaturat normale.

"Në pjesën më të madhe të Azisë jugore dhe Afrikës qëndorore këto rajone ka të ngjarë të kenë vitin më të nxehtë të regjistruar".

Shumë shkencëtarë thonë se prirja e ngrohjes është shkaktuar kryesisht nga aktiviteti njerëzor si makinat, përdorimi i karburanteve dhe çpyllëzimet.

Synimi i konferencës është të gjejë zjgidhje për të shkurtuar emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë, të nxisë teknologjitë e gjelbra dhe rritjen ekonomike dhe të ndihmojë vendet më pak të zhvilluara të përshtaten me kushtet e reja.

Zyrtari i lartë i OKB-së për klimën, Ivo de Boer u kujtoi delegatëve se objektivat janë të njohura.

"Negociatorët duhet të sjellin gjatë javës së ardhshme propozime që të përbëjnë themelin e një plani të zbatueshëm".

Shkencëtarët thonë se shkurtimi i emetimit të dioksidit të karbonit me 25 deri 40 përqind është i domosdoshëm për të kontrolluar ngrohjen globale. Bashkimi Evropian, Kina dhe India kanë bërë premtime. Shtetet e Bashkuara po presin një miratim nga kongresi për shkurtimin prej 17 përqind të propozuar nga presidenti Obama.

Zyrtari i OKB-së Boer tha se diskutimi vazhdon.

"Ajo që kam dëgjuar nga përfaqësuesit e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara është se objektivi është që Kina ka vend për përmirësime. Ajo që kam dëgjuar nga përfaqësues të Evropës dhe Kinës është se Shtetet e Bashkuara kanë objektiva që duhen përmirësuar".

De Boer tha se vendet afrikane dhe vende të tjera më pak të zhvilluara thonë se asnjë objektiv nuk është sa duhet realist për momentin.

Të hënën në Uashington, Agjencia qeveritare për Mbrojten e Mjedisit deklaroi se diokisidi i karbonit dhe gazet që shkaktojnë efektin serë kërcënojnë shëndetin publik. Kjo i hap rrugën agjencisë të vendosë standarte për emetimin në se kongresi nuk e bën një gjë të tillë.

Në Kopenhagë ky ishte lajm i mirë. Por Damon Moglen, drejtor i fushatës për ngrohjen globale në organizatën Greenpeace thotë se ai duhet të pasohet me veprime të fuqishme.

"Ky është një hap i parë i rëndësishëm por është vetëm hapi i parë. Ne duhet të shohim rregullore të menjëhershme nga agjencia dhe regullat duhet të jenë agresive".

Moglen thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t'i diskutojnë në tryezë propozimet për shkurtimet. Ai thotë se presidenti Obama duhet të luajë një rol më të qartë kur të marrë pjesë javën e ardhshme në takimin e Kopenhagës.


XS
SM
MD
LG