Lidhje

Gjendja e të drejtave të njeriut në botë gjatë vitit 2009


Nga Irani në Birmani dhe nga Darfuri në Guantanamo, viti 2009 ka qenë një vit plot me sfida dhe përparime të rëndësishme për të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Më 10 dhjetor Kombet e Bashkuara shënojnë Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe më këtë rast korrespondenti i Zërit të Amerikës Adam Philips bisedoi me dy ekspertë të kësaj fushe rreth arsyeve pse ky vit ka qenë një vit i rëndësishëm në luftën globale për të drejtat e njeriut.

Tom Malinouski, ekspert i politikave të jashtme dhe aktivist në organizatën Human Rights Watch në Uashington, është i ndërgjegjshëm për aftësitë e njeriut për trajtime mizore dhe për keqpërdorim të forcës. Ai veçon si shembull shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në rajonin e Darfurit në Sudan. Pastrimet etnike nga militantë arab dhe qeveria sudaneze kanë shënuar rënie që prej pikës më të lartë në fillim të kësaj dekade, por dhuna e fuqishme dhe sporadike ka vazhduar atje në 2009.

“Ka pasur raste kur civilët janë vrarë nga sulmet e forcave ajrore sudaneze dhe ata janë ballafaquar me dhunë si pasojë e konfliktit mes qeverisë dhe grupeve të kryengritësve. Një numër i madh i njerëzve në Darfur janë përballur me spastrim etnik dhe janë detyruar të largohen nga fshatrat e tyre. Ata janë vendosur në kampet e stërngarkuara për persona të zhvendosur. Këto kampe janë shumë të pambrojtura. Po ashtu edhe njerëzit në këto kampe janë të pambrojtur kur ata largohen për të siguruar ushqim dhe gjera të tjera. Pra në Darfur ka pasur një vazhdim të krizës.”

Por ka pasur përparime në lehtësimin e kësaj krize. Zoti Malinouski nënvizon se ndërsa Kina vazhdon të bëhet një ndër vendet më të fuqishme të botës, udhëheqësit e saj po përballen me përgjegjësi si asnjëherë me parë.

“Ka kohë që Kina është nën presion për shkeljet mizore të të drejtave të njeriut. Por vetëm në vitet e fundit Kina është përballur me presion për rastet që kanë të bëjnë me marrëdhënjet e saj me qeveritë e tjera të cilat shkelin të drejtat e njeriut. Edhe pse për disa ishte e papritur, Kina ka ndërmarrë disa ndërhyrje përkrah aleatëve të saj në lidhje me Sudanin dhe Birmaninë duke i nxitur këto vende që të paktën të ulin pjesërisht dhunën dhe nënshtrimin. Fatëkeqësisht, Kina nuk ka bërë aq shumë për të përdorur ndikimin e saj tek këto vende për shitjen e armëve, marrëveshjet ekonomike etj."

Ky vit ishte i mirë dhe i keq për aktivistët e demokracisë. Zoti Malinouski nënvizon represionin e vazhdueshëm në Kubë, Birmani dhe Korenë e Veriut. 2009-a po ashtu shënoi fillimin e një lëvizjeje masive të opozitës në Iran e cila deklaroi se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të qershorit. Por, zoti Malinouski nënvizon se autoritet qeveritare deklaruan presidentin e tanishëm Mahmud Ahmadinexhad si fitues të zgjedhjeve.

“Protestat u shuan në mënyrë shumë të dhunshme dhe u zhvilluan gjykime farse. Në muajt e fundit këmi vërejtur themelimin e një pushteti shumë nënshtrues, gati si një shtet nën regjim ushtarak në Iran. Kjo duket se ka zëvendësuar shtetin e klerikëve që ekzistonte para zgjedhjeve. Por opozita përkundër gjithë këtyre ndryshimeve ka vazhduar të shpreh paknaqësitë e saj."

Në Afganistan, aktivistët thonë se të drejtat e grave janë përmirësuar që nga viti 2001 kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj larguan me forcë qeverinë pushtuese të udhëhequr nga Talebani. Por zoti Malinouski thekson se gratë afgane vazhdojnë të përballen me shumë sfida rreth të drejtave dhe lirive të tyre:

“Ka ende taksa për vajzat dhe gratë të cilat largohen nga shtëpitë e tyre dhe të cilat përpiqen të arsimohen ose të fillojnë të punojnë ose të jetojnë një jetë normale.”

Sipas Zhan Filip Shasi nga organizata ndërkombëtare për imigrantë me bazë në Gjenevë, vazhdimi i krizës ekonomike globale të 2009 ka shkaktuar vështirësi më të mëdha tek vendet në zhvillim pasi shumë njerëz atje edhe para kësaj krize përballeshin me kushte shumë të vështira ekonomike. Zoti Shasi nënvizon mundësitë më të vogla për imigrantët ligjor nga Afrika veriore për në Spanjë për punë shtëpiake dhe pasi papunësia ishte e madhe në Evropë në vitet e fundit, imigrantët ishin shumë më pak të mirëpritur. Gratë dhe fëmijët kanë qenë të ndjeshëm ndaj shfrytëzimit seksual dhe skllavërisë dhe trafikimit. Zoti Shasi thotë se edhe të drejtat e njeriut të imigrantëve meshkuj brenda Afrikës kanë qenë në rrezik më të madh në 2009-ën.

Megjithë vazhdimin e abuzimeve, Tom Malinouski nga organizata Human Rights Watch, beson se zbatimi i të drejtave të njeriut ka shënuar një rritje në të gjithë botën.

“Unë mendoj se gjatë periudhës së dekadave të fundit, çështjet e të drejtave të njeriut kanë arritur të zënë vend të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sot më shumë njerëz gëzojnë të drejtat e njeriut si të drejtën për të zgjedhur qeverinë e tyre, për të shprehur mendimet e tyre dhe për të praktikuar lirshëm besimin e tyre, ndryshe me 30 ose 40 vitet e kaluara."

Pavarësisht nga shpresat se situata e të drejtave të njeriut do të përmirësohet në 2010-ën, Tom Malinouski dhe aktivistë të tjerë thonë se ata do të vazhdojnë të luftojnë për një botë ku çdo njeri gëzon siguri, liri dhe mirëqenie ekonomike. //bsa//

XS
SM
MD
LG