Lidhje

Vizita e sekretarit Gejts pas sulmeve në Irak


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates shkoi në Irak pas një vizite në Afganistan. Ai u takua në Bagdat me kryeministrin Nouri al-Maliki dhe presidentin Xhalal Talabani. Ata diskutuan valën e fundit të sulmeve për të cilën e mori përgjegjësinë një grup i lidhur me al-Kaidën në Irak i përbërë nga kryengritësit suni. Zoti Gejts i kërkoi udhëheqësve irakianë të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi statusin e rajonit kurd në veri të vendit. Ai zhvilloi gjithashtu një takim me trupat amerikane pranë qytetit të pasur me naftë të Kirkukut.

Pikëllimi dhe urrejtja ndjehej kudo në rrugët e Bagdatit ndërsa irakianët varrosën viktimat e një vale bombardimesh që vranë 127 persona dhe plagosën 500 të tjerë. "Çfarë krimesh kemi bërë? Fëmijët dhe gratë u varrosën nën rënoja. Përse i lanë këto makina bombë të kalonin?", thotë një banor i zonës.

Kjo ishte vala e tretë e madhe me sulme që nga gushti.

Pas këtyre ngjarjeve Sekretari amerikan i Mbrotjes Robert Gates shkoi në Irak për t'u takuar me presidentin dhe kryeministrin e vendit. Ai u bëri thirrje udhëheqësve irakianë të zgjidhin mosmarrëveshjet, përfshi statusin e rajonit kurd në veri dhe qytetin e pasur me naftë të Kirkukut.

Në një bazë ajrore pranë Kirkukut, sekretari Gejts u tha trupave amerikane se Shtetet e Bashkuara ende kanë në plan të tërheqin të gjitha trupat nga Iraku deri në fund të vitit 2011. Ai tha se megjithë bombardimet e fundit, siguria është përmirësuar dhe dhuna në Irak ka rënë.

"Mendoj se gjërat kanë ndryshuar. Ka angazhim për të mos u kthyer prapa në dhunë nga të gjithë lojtarët kryesorë. Por mendoj se është shumë e rëndësishme të formohet një qeveri e re sa më shpejt që të jetë e mundur pas zgjedhjeve".

Një grup i lidhur me al-Kaidën morri përgjegjësinë për sulmet. Zyrtarët amerikanë dhe irakianë thanë se shpërthimet tregojnë se kontrolli i Al-Kaidës po dobësohet. Ata thanë se kryengritësit sulmuan për të minuar besimin e irakianëve veçanërisht para zgjedhjeve të përgjithshme të marsit.

"Ata përpiqen të përhapin kaos, urrejtje, sektarizëm dhe të konfrontojnë atë që irakianët kanë arritur përsa i përket sigurisë si rezultat i luftës, përpjekjeve dhe durimit të tyre".

Zoti Maliki u përgjigj ndaj sulmeve duke hequr nga detyra kreun e forcave të sigurisë në Bagdat. Por disa irakianë thanë se duhet bërë më shumë.

"Komandanti i operacioneve ushtarake në Bagdat është një person. Ne duhet të ndryshojmë të gjithë komandantët e sigurisë pasi ata kanë dështuar gjatë tre viteve të fundit. Kështu që ndryshimi i një njeriu nuk është i rëndësishëm".

Analisti James Phillips, nga Fondacioni Heritage thotë se paqja varet nga mënyra sesi zyrtarët do të zgjidhin mosmarrëveshjet mes sunive, shiitëve dhe kurdëve.

"Do të ndihmonte nëse tensionet në rritje mes kurdëve dhe arabëve në veri të uleshin përmes ndonjë lloj rezolute politike pasi kjo do të minonte al-Kaidën".

Zoti Phillips thotë se në se kurdët dhe arabët nuk zgjidhin mosmarrëveshjet, konflikti do të ndihmojë al-Kaidën të rekrutojë terroristë të rinj për këto sulme.

Sekretari Gejts tha se zgjidhja e mosmarrëveshjeve është e rëndësishme për sigurinë e Irakut.

"Mendoj se kjo është ndoshta çështja më shqetësuese këtu në Irak".

Sekretari Gejts tha se edhe pasi forcat tokësore amerikane të largohen nga Iraku në vitin 2011, forcat ajrore amerikane mund të vazhdojnë të luajnë rol.


XS
SM
MD
LG