Lidhje

Sigurimi i ushqimit, përparësi e Afrikës në Samitin e Kopenhagës


Konferenca e Kopenhagës për ndryshimet klimatike mbahet në një kohë paralajmërimesh se temperaturat po rriten dhe ndyshimet e klimës po shkaktojnë një ndikim shkatërrues tek vendet e varfëra, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Heinlein njofton nga Adis Abeba se udhëheqësit afrikanë shpresojnë se vendet e pasura do të ofrojnë në takim ndihmë për vendet që vuajnë nga mungesa ushqimore.

Fëmijë të kequshqyer janë një pamje e zakonshme në qendrat për të vobektët në mbarë Etiopinë. Një çerek shekulli pas vdekjes nga uria të një milionë njerëzve në këtë vend të Afrikës Lindore, shumë banorë ende nuk marrin ushqimin e nevojshëm.

Në tri vitet e fundit reshjet e shiut kanë qënë shumë të pakta. Barishtet e thara nga dielli mbulojnë fushat e pambjella.

Në mbarë Bririn e Afrikës, 20 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihma ushqimore.

Ted Chaiban, drejtori i UNICEF-it për Etiopinë, thotë se thatësira që godiste vendin një herë në disa vjet, tani është më e shpeshtë.

“Kemi një situatë që është e vështirë. Jemi në vitin e tretë të kushteve të vështira klimatike. El Ninjo ka qënë shkatërrues për rajonin”.

Kryeministri etiopian, Meles Zenawi, kryeson delegacionin afrikan në takimin e nivelit të lartë në Kopenhagë. Ai thotë se Afrika vuan nga pasojat e veprimtarive të vendeve të pasura dhe të industrializuara:

“Afrika nuk ka kontribuar asgjë për ngrohjen globale por është vendi që po humbet më shumë prej ndryshimeve klimatike. Afrika do të goditet fort dhe e para. Pra ne si afrikanë kemi më shumë probleme nga ngrohja globale sesa çdo shtet tjetër ndoshta dhe duhet të sigurojmë një marrëveshje të drejtë dhe praktike në Kopenhagë”.

Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Jean Ping, është gjithashtu në ekipin negociues për Afrikën në Kopenhagë. Ai thotë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes rënies së rendimentit të drithërave të shkaktuar nga ndryshimet klimatike dhe trazirave në shumë vende afrikane.

“Ne nuk mund të ushqehemi. Kështu gjatë periudhës së vështirë të krizës ushqimore ne patëm trazira në shumë qytete ku problemi i ushqimit i bëri njerëzit të dilnin në demonstrata dhe të përdornin dhunën kundër autoriteteve”. - tha ai

Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se 31 vende përballen me mungesa të rezervave ushqimore, shumica e tyre në Afrikën Lindore. Afrika Perendimore është gjithashtu e goditur rëndë. Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë njofton se shirat e pakta shkaktuan humbje masive të bagëtive në Mali, Çad dhe Niger.

Negociatorët afrikanë nuk kanë thënë se sa kompensim do të kërkojnë në Kopenhagë.

Por kryeministri Meles sugjeron se shuma prej 100 miliardë dollarësh në vit do të ishte e arsyeshme.

Pjesa më e madhe e kësaj shume, më mos e gjitha, do të vijë nga Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë dhe njëkohësisht emetuesja më e madhe e gazeve që shkaktojnë efektin serë. //mm//


XS
SM
MD
LG