Lidhje

Kosovë: Përfundon raundi i dytë i zgjedhjeve lokale


Në orën 19 janë mbyllur të gjitha vendvotimet me çka Kosova i dha fund raundit të dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal.

Një pjesëmarrje më e ultë e votuesve ishte karakteristikë e raundit të sotëm të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në mbylljen e kutive të votimit në zgjedhje morën pjesë afro 38 për qind e rreth një milion qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote.

Në raundin e parë të votimeve morrin pjesë rreth 45 për qind e 1 pikë 5 milion votuesve të regjistruar. Votimet e sotme u mbajtën në 21 komuna nga 36 sosh, ku kandidatët dështuan në raundin e parë të fitojnë 50 për qind të votave. Ishin gjithsejtë 42 kandidatë të partive të ndryshme politike që konkurruan për postet e kryetarëve, përfshirë edhe dy kandidatë të partive politike nga radhët e komunitetit serb.

Rreth 4 mijë pjesëtarë të policisë së Kosovës janë angazhuar në sigurimin e votimeve të sotme dhe sipas zyrtarëve të saj, nuk janë shënuar incidente të mëdha. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë regjistruar mbi 23 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë për mbikëqyrjen e votimeve të sotme. Vëzhguesit vendas thanë se janë shënuar disa parregullsi në votimet e sotme, të ngjashme edhe me zgjedhjet e kaluara në vend, si votimet familjare, votimet e dyfishta dhe prani simpatizantësh të partive politike në vendvotime.

Por, autoritetet thanë se parregullsitë e deritashme nuk e dëmtojnë procesin e zgjedhjeve i cili ishte i qetë dhe kryesisht në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Të tilla qenë vlerësuar edhe zgjedhjet e 15 nëntorit, me gjithë disa parregullsi që kushtëzuan shpalljen e pavlefshme të tyre në 15 vendvotime. Zgjedhjet e sivjetme janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe të parat që organizohen në tërësi nga institucionet e vendit. Ato janë cilësuar si një sprovë për shtetin e ri i cili është njohur nga 63 vende të botës ndërsa vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.

Raundi i parë i zgjedhjeve nxiti shumë debate për shkak të ashpërsisë së gjuhës politike të partive që konkurronin për pushtetin komunal, një gjuhë kjo e cila u veçua si më e ashpra ndërmjet dy partive më të mëdha në vend që janë në koalicionin qeverisës.


XS
SM
MD
LG