Lidhje

Shqipëri: PD përgatitet për Kongresin, PS rinis protestat


Partia Demokratike pritet të zhvillojë nesër kongresin e saj të radhës për të diskutuar sfidat e qeverisjes gjatë mandatit të dytë në pushtet, si dhe për të zgjedhur drejtuesit e rinj.

Sipas të dhënave të deritanishme, kryeministri Sali Berisha do të kandidojë dhe do të rizgjidhet në postin e kryetarit të Partisë Demokratike, ndërsa nuk është bërë publik ndonjë kandidat tjetër përballë tij as edhe formalisht.

Në Kongresin e PD u njoftua se, krahas zotit Berisha, nesër do të mbajnë fjalime edhe dy nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.

Sipas njoftimit të PD, pas 4 fjalimeve do të nisë procesi i votimit për të zgjedhur forumet drejtuese, ku në Këshillin Kombëtar pritet të ketë jo pak ndryshime.

Kongresi i planifikuar për në datën 12 dhjetor, ditën e themelimit të Partisë Demokratike, u shty 2 ditë për shkak të një takimi që kryeministri Berisha zhvilloi me Papa Benediktin e 16-të në Vatikan.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit Partia Demokratike fitoi një mandat të dytë qeverisës, falë edhe koalicionit që ndërtoi me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Vazhdimi i reformave ekonomike, integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe goditja e krimit të organizuar dhe trafiqeve pritet të jenë në qendër të diskutimeve të Kongresit të Partisë Demokratike.

***

Ndërkohë, edhe kundërshtarët e majtë të demokratëve, Partia Socialiste e opozitës ka njoftuar se do të nisë nesër në Durrës dhe qytete të tjera një seri tubimesh protestuese kundër politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë.

Seria e tubimeve socialiste do të zgjatë një javë në 8 qytete të mëdha të vendit dhe do të kulmojë me një tubim në kryeqytet më 21 dhjetor.

Në qendër të vëmendjes do të jenë kriza ekonomike dhe mbrojtja e bizneseve, krahas parrullave të mirënjohura për rishikimin e materialeve zgjedhore.

Opozitarët kanë pohuar se këto protesta do të kenë një karakter vendor, të organizuara nga degët e PS në rrethe, dhe do të trajtohen vështirësitë e qytetarëve në jetën e përditshme.

Veprimtari të tjera politike janë projektuar nga opozita socialiste pas vitit të ri, në qendër të të cilave mbetet kërkesa për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Partia Socialiste e opozitës ka bojkotuar qysh nga dita e parë parlamentin e ri që doli nga zgjedhjet.

Ajo ka kërkuar rihapjen e kutive të votimit dhe rishqyrtimin e materialeve zgjedhore, me pretendimin se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk pasqyrojnë saktë mendimin e qytetarëve, pasi në dokumenta ka parregullsi.

Kjo kërkesë është hedhur poshtë me vendosmëri nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse sipas tyre, për ato rezultate janë shprehur një herë gjykatat e vendit, dhe se vendimet e gjykatave nuk mund të rihetohen nga politikanët. //mm//

XS
SM
MD
LG