Lidhje

Rihapet debati mbi ndryshimin e klimës në Shtetet e Bashkuara


Ndërkohë që presidenti amerikan Barak Obama përgatitet të udhëtojë për në Kopenhagë në konferencën ndërkombëtare për ndryshimin e klimës, anëtarët e kongresit po ofrojnë këshillat e tyre. Korrespondentja e Zëri të Amerikës Pola Ulfson njofton se ka mosmarrëveshje të thella në lidhje me mënyrën si duhet trajtuar çështja e ngrohjes globale.

Dje, ndërkohë që konferenca për klimën kishte ndërprerë zyrtarish punimet, debati u hap në Shtetet e Bashkuara.

Në programin televiziv të së dielës në Fox News, mendimet kundërshtare dolën në pah.

Nga njëra anë ishte Xhejms Inhof, një senator republikan nga Oklahoma, dhe kundërshtar i zjarrtë i legjislacionit mbi energjinë që pop diskutohet tani në kongres. Nga ana tjetër ishte kongresmeni Eduard Marki, një demokrat nga shteti Masaçusets dhe bashkautor i versionit të dhomës së përfaqësuesve të projektligjit.

Zoti Inhof ishte shumë i prerë, duke thënë se presidenti nuk mund të premtonte objektiva specifike për reduktimin e gazeve të çliruara pa miratimin e kongresit.

“Presidenti nuk mund ta bëjë këtë. Reduktimet e gazeve për të cilat po flet ai janë po ato që përmenden në projektligjin e zotit Marki. Dhe kjo nuk do të ndodhë.”

Zoti Inhof është betuar se do ta bllokojë legjislacionin që zoti Marki kishte hartuar fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve që të mos kalojë në senat dhe të hyjë në fuqi si ligj.

Projektligji përfshin formula të ndërlikuara për të inkurajuar kompanitë të reduktojnë çlirimin e gazeve të dëmshme, formula për të cilat konservatorë të tjerë si zoti Inhof besojnë se do ta dëmtonin ekonominë amerikane dhe do t’i kushtonin vende pune Amerikës.

Zoti Marki thotë se legjislacioni është dashur të bëhej më herët dhe është i nevojshëm për të reduktuar çlirimin e gazeve që besohet se janë shkaktarët e ngrohjes globale. Ai tha se presidenti Obama ka autoritetin të bëjë premtime në Kopenhagë.

Zoti Marki parashikoi se një kompromis i pranueshëm do të dalë edhe në senat. Ai thotë se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit mund të ndërmarrë masa edhe vetë për të reduktuar çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë.

“Kjo nuk është më çështje legjislacioni. Kjo është çështje legjislacioni dhe rregulloresh. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit mund të marrë masa.”

Zoti Marki mbron gjithashtu të drejtën e presidentit për t’u ofruar ndihmë vendeve në zhvillim për t’i ndihmuar ata të kalojnë nga nafta dhe gazi tek burime më të pastërta energjie. Ai tha se duhen dhe do të ndërmerren hapa për t’u siguruar që paratë shpenzohen me mençuri.

“Do të na duhet procedura të rrepta verifikimi për t’u siguruar që paratë do të shpenzohen për mbrojtjen nga ngrohja e rrezikshme globale.”

Zoti Marki parashikoi se presidenti do të njoftojë në Kopenhagë se Shtetet e Bashkuara do të japin 3 miliard dollarë ndihmë për vendet në zhvillim për t’i ndihmuara ato të luftojnë ndryshimin e klimës globale. Por zyrtarët e administratës thonë se zoti Obama mund të mos japë ndonjë shifër të caktuar për ndihmën amerikane, por mund të përqendrohet tek një përpjekje e përbashkët me vendet e zhvilluara për të dhënë ndihmë afat-shkurtër.

XS
SM
MD
LG