Lidhje

Rusia, separatizmi çeçen dhe terrorizmi


Hetuesit rusë thonë se separatistët çeçenë ka të ngjarë të jenë përgjegjës për sulmin terrorist vdekjeprurës në një tren pasagjerësh në veri të Moskës muajin e kaluar, por ata nuk kanë përjashtuar të dyshuar të tjerë. Më shumë se një grup mori përgjegjësinë për sulmin, që shkaktoi 26 të vrarë dhe plagosi rreth 100 të tjerë.

Rebelët çeçenë morën përgjegjësinë për sulmin pas shpërthimit në trenin e shpejtësisë së lartë Nevsky Express mes Moskës dhe Shën Petersburgut. Por të njëjtën gjë bëri edhe një grup-ultranacionalist, dhe hetuesit rusë thonë se po shqyrtojnë të dyja pretendimet.

Anëtari i grupit ultranacionalist “Combat 18” tha me anë të një deklarate të publikuar në blogun e tij se luftëtarët e grupit organizuan sulmin.

Por analisti i sigurisë Dmitri Trenin pranë institutit Carnegie Endowment për paqe ndërkombëtare në Moskë thotë se është dakort me autoritetet që besojnë se separatistët çeçenë janë përgjegjës.

"Kishte një teori se ultra-nacionalistët mund të kishin gisht në këtë sulm, por unë e shoh këtë më pak të mundur sesa përfshirja e terroristëve nga rajoni i Kaukazeve."


Shpërthimi në tren vrau 26 vetë dhe plagosi rreth 100 të tjerë. Ai ishte i ngjashëm me një sulm tjetër në të njëjtin tren në vitin 2007.

Atëherë hetuesit arritën në përfundimin se një ish oficer ushtarak, Pavel Kosolapov ishte përgjegjës dhe ka njoftime që e lidhin atë me sulmin e fundit. Ai ka lidhje me rebelët çeçenë dhe nuk është kapur ende nga autoritetet.

Marrja e përgjegjësisë nga çeçenët u publikua në Internet në emër të udhëheqësit separatist, Doku Umarov. Bëhet e ditur se ai drejton një rrjet celulash separatiste në mbarë rajonin me shumicë myslimane dhe të dhunshëm në Kaukazin verior, që lufton për t’u shkëputur nga Moska.

Zyrtarët rusë thonë se shpërthimi ishte i pari sulm vdekjeprurës në Rusi jashtë Kaukazit Verior në pesë vjetët e fundit. Në atë zonë sulmet kundër zyrtarëve dhe forcave të rendit janë diçka e zakonshme.

Gjatë sesionit të përvitshëm pyetje-përgjigje me publikun në fillim të dhjetorit, kryeministri Vladimir Putin tha se është bërë shumë për të parandaluar terrorizmin në Rusi por ai shtoi se kërcënimi nuk është eliminuar. Kritikët thonë se mënyra sesi qeveria ekzekuton politikat e saj në rajon shërben si nxitje e terrorizmit në Kaukazin Verior.

Përsëri Dmitri Trenin nga instituti Carnegie Endowment.

"Duket qartë mungesa e profesionalizmit nga ana e policisë dhe zyrtarëve të tjerë në rajon. Është problemi i përplasjes së klaneve në rajon, problemi i korrupsionit që nuk fillon në Kaukazin Verior. Ai fillon në Moskë dhe shkon deri atje."


Disa ditë pas sulmit, disa mijëra vetë u mblodhën në një miting kundër terrorizmit, i miratuar nga qeveria në Moskë.

Megjithë thirrjen e kryeministrit Putin se publiku dhe shërbimi i sigurimit rus duhet të jetë më vigjilent, për njerëzit në këtë tubim në Moskë, kërcënimi i terrorizmit është ende një problem i madh. //ii

XS
SM
MD
LG